A do të mbyllet Tik-Tok? Flet ministrja e Arsimit!
Dritare.net
Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu, gjatë fjalës së saj në Kuvend, ku është thirrur në interpelancë nga opozita, ka zbardhur panin e masave për rritjen e sigurisë në shkolla.
Manastirliu foli edhe për idenë e mbylljes së platformave si TikTok, ku tha se mbi 98% e prindërve janë shprehur për vendosje filtrash apo mbyllje të platformave si TikTok, prej të cilëve 60% janë shprehur për mbyllje totale të rrjeteve sociale për moshën nën 16 vjeç.
“Një tjetër rrezik, më pak i kontrollueshëm, është kërcënimi real që vjen nga platformat me përmbajtje të pakontrolluara online si ajo e TikTok, të cilat sfidojnë jo pak autoritetin e mësuesve dhe prindërve.
Këto platforma janë bërë shkak i nxitjes së gjuhës së urrejtjes, akteve të dhunës, promovimi i vlerave të gabuara dhe antivlerave, që fatkeqësish merren si shembull nga adoleshentët.
Ministria e Arsimit ka ndërmarrë një fushatë të gjerë për të diskutuar me prindërit mbi këto problematike shqetësuese dhe për të ndërmarrë së bashku hapat e duhur.
Kjo fushatë është shtrirë në të gjithë vendin. 80% e prindërve shprehin shqetësime për ndikime psiko-emocionale që përdorimi i këtyre platformave kanë te fëmijët. Ulje të vetëvlerësimit, shfaqje të simptomave të ankthit, ulej të përqendrimit.
57% e prindërve treguan se fëmijët e tyre ishin ekspozuar ndaj përmbajtjeve të papërshtatshme në TikTok.
Nga këto diskutime deri më tani, mbi 98% e prindërve janë shprehur për vendosje filtrash apo mbyllje të platformave si TikTok, prej të cilëve 60% janë shprehur për mbyllje totale të rrjeteve sociale për moshën nën 16 vjeç.
Ne do të vendosim për hapin e radhës pas kryerjes së konsultimit me prindërit dhe do të jetë pjesë e planit kombëtar për sigurinë në shkolla”, tha Manastirliu./E.P-dritare.net