Misteri i portës së Veriut në Porto Palermo!
Dritare.net
Qemal Zyfi i cili ka punuar si inxhinier gjatë ndërtimit të Porto Palermos, pas intervistës së dhënë në studion e Shqip nga Rudina Xhunga, shoqëroi ekipin e Dritare TV në Porto Palermo për të rrëfyer të gjithë kompleksin së bashku me një grup të madh inxhinierësh. Meraku i zotit Zyfi ishte të shikonte portën e veriut në Porto Palermo, pasi ka pasur shumë zëra se ajo jo nuk mund të hapet, e si pasojë objekti është një investim i kotë. Ndaj inxhinieri shkoi e pa dhe konstatoi se porta e Veriut përveç dëmtimeve të vogla, mund të hapet lehtësisht.
“Jam i lumtur të rikthehem të shikoj punën time të vitit 1978-1979. Jam po ashtu shumë i kënaqur që pas 32 vjetësh, objekti të cilit nuk i është bërë asnjë shërbim, është ende në gjendje pune.
Meraku im për të cilën erdha këtu sot është Porta e Veriut e cila është në gjendje normale. Shumë pak është dëmtuar. Me pak shpenzime ajo mund të vihet në funksion. Unë shkova lehtësisht deri atje. Kështu që hyrja është mjaft e lehtë. Me një investim të vogël, porta hapet. Teoria që ky objekt është i dështuar sepse porta e Veriut nuk hapet, tashmë nuk qëndron.
Porta e Veriut është tërësisht funksionale. Megjithatë unë sugjeroj që porta të qëndrojë e mbyllur sepse nuk ka asnjë arsye të hapet. Mund të hapet në një moment të caktuar për një arsye, por nuk duhet të qëndrojë e hapur. Sepse dallgët që mund të futen të gjitha në tunel, rrisin nivelin e lagështisë.
Ky objekt i ka qëndruar kohës. Fillimisht duhet të vijë një ekip i specializuar që ta kolaudojë, pastaj të hyjnë njerëzit. Ajo që i mungon është një libër i shfrytëzimit, që e jep ndërtuesi kur mbaron ndërtimi. Ky libër tregon edhe defektet që mund të ndodhin dhe se si mund të riparohen. Në një kohë jo më shumë se një vit, objekti mund të kthehet në gjendje pune. Me një kosto 1 milionë dollarë”, u shpreh inxhinier Zyfi./L.F-dritare.net