
Ndahet nga jeta Tomka, miqtë e tij i japin lamtumirën me hidhërim!
Dritare.net
Enea Zhegu, aktori që luajti Tomkën, në filmin “Tomka dhe shokët e tij” është ndarë nga jeta sot, nuk kanë munguar reagimet e të gjithë miqve të tij, të cilët shprehen me hidhërim për humbjen e tij.
"Sa e trishtë është kjo ikja jote prej turravrapi në këtë fundpranvere o artist i lindur, Enea Zhegu! E luajte edhe dramën e ikjes pa kthim, njësoj si tek personazhet e roleve në filmat e tu aq të mrekullueshëm, kaq mbresëlënës, të cilat do të mbeten përgjithmonë të gjalla në kujtesën e publikut, të paharruara për të gjitha brezat.
Ti ike duke bashkëudhëtuar në heshtje për vite me radhë, në një betejë me dhimbjen që të shkaktonte sëmundja tekanjoze e kapricioze, por asnjëherë dhe në asnjë çast nuk e lëshove veten, sepse jetove si qëndrestar stoik në përballje me atë flamë që pak nga pak kafshonte pjesë nga trupi yt vital! Shpesh i padrejtë dhe i pamëshirë tregohet fati me Njeriun, por ti i shpërfille të dyja këto, sepse dite të ishe sfidant okatar dhe jetove si një artist i pazakontë deri sa dhe frymën e fundit. Por, e trishtë gjithsesi mbetet kjo ikja jote për të gjithë të afërmit, miqtë dhe adhuruesit e tu që i kishe pafund, kudo nëpër Shqipëri. Lamtumirë Ena. Pusho në Paqen tënde qetësinë e merituar!",-shkruan Ilir Çumani në postimin e tij.
"Enea i dashur ! Sa i trishtë ky mëngjes…,i hidhur dhe i zi,lajmi se ti ke ndërruar jetë më tronditi dhe më ka shkaktuar dhimbje të madhe.Sa shumë të kanë njohur e të kanë dashur, për talentin dhe për njeriun që ishe. Publiku të identifikon me Tomkën dhe ashtu të thërret edhe sot ,Ty simbolin e fëmijërisë në çdo ëndërr fëmije në breza. Kurse unë, s'do harroj kurrë,shokun e kursit tim Enea, të kujdesur e të dhemshur, atë vrapin tënd nëpër dyqane e magazina të Tiranës për të me siguruar ndonjë ushqim të veçantë kur unë do ikja për në Memaliaj te fëmijët e mi, se unë isha i vetmi ‘baba’ në kurs, kujdesin e të gjithë shokëve të kursit nuk do e harroj, por mbështetjen tënde të veçantë kurrë!
Ti rrebeli dhe çapkëni i asaj kohe, ishe njëkohesisht dhe njeriu me zemër të madhe! Nuk e harroj dot edhe kur për orët e mesimit duheshin objekte(rekuizite)…, ti nuk pertoje te sillje gjithcka nga shtepia, se ti ishe Enea artist ne shpirt e zemër. Ç'të shkruaj për ty mor Enea…, e vetmja qe nuk të shkon ty, është vdekja…, si pjesa e fundit për t'u luajtur në ikjen tënde te pakthim . Lamtumire or mik ! Zoti te past’ ne preherin e Tij !???? Lamtumire Enea !",-shkruan artisti Agron Llakaj./M.T/dritare.net

















