Nis procesi për ndërtimin e pallateve të reja në Tiranë, kryeqytetit do t’i shtohen edhe 10 parkingje publike
Dritare.net
Këshilli Bashkiak i Tiranës i hap rrugën procesit të ndërtimit të pallateve të reja, në dy lagjet e reja në kryeqytet, në Kombinat dhe zonën e “5 Majit”, ku do të strehohen të gjitha familjet, shtëpitë e të cilave janë shpallur të pabanueshme nga Instituti i Ndërtimit pas tërmetit të 26 nëntorit 2019. Në mbledhjen e Këshillit Bashkiak, anëtarët shqyrtuan projektvendimin për prishjen e pallateve të dëmtuara nga tërmeti i 26 nëntorit, të cilat inxhinierët dhe ekspertët e ndërtimit i kanë cilësuar si të parikonstruktueshëm ose që e tejkalojnë vlerën 70% të rikonstruktimit e sipas ligjit, duhet të ndërtohen nga e para.
Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj deklaroi sot se me mbylljen e ciklit të kompensimeve dhe të rindërtimit të banesave të dëmtuara gjatë tërmetit të 21 shtatorit 2019, fokusi është te lagjet e reja dhe ndërtimi i pallateve të tërmetit të 26 nëntorit. “Vendimi ka të bëjë me prishjen e detyruar të ndërtesave pallate, si rezultat i dëmtimit nga tërmeti i 26 nëntorit 2019. Ky vendim lidhet me pallatet në Njësinë 6, në zonën e Kombinatit, për të cilin në kemi zhvilluar 8 seanca maratonë, ku çdo pallat është studiuar dhe prezantuar në mënyrë transparente nga inxhinierët, me të gjithë librat e kontrolleve dhe akt-konstatimet e projekteve inxhinerike. Janë prezantuar edhe në komisionet e Këshillit Bashkiak, ku për transparencë maksimale kemi qenë në transmetim live, ndaj ka ardhur koha të marrim një vendim”, u shpreh Veliaj.
" Tani jemi fokusuar 100% tek mbyllja e programit të rindërtimit nga tërmeti i 26 Nëntorit, por edhe për të vazhduar me energji të reja në ndërtimin e lagjeve apo komplekseve që do të shoqërojnë procesin i rindërtimit”, theksoi Veliaj.
Ndërkaq, deri më tani janë 6 mijë familje të prekura nga tërmeti i 26 nëntorit, të cilat i kanë marrë pagesat dëmshpërblimit ose do t’i marrin këto ditë, për të riparuar shtëpitë që pësuan dëme nga tërmeti, që futen në kategoritë DS1, DS2, DS3. Kreu i Bashkisë së Tiranës, sqaroi se i gjithë procesi ka qenë transparent. Ai falenderoi qytetarët për bashkëpunimin dhe që nuk janë bërë palë me parti të falimentuara moralisht. “Deri tani kemi kaluar afërsisht 6061 pagesa për dëmet DS1, DS2, DS3. Partia Demokratike ka bashkëpunuar vetëm me 6 spekulantë. Për të gjithë qytetarët që mërziten u them, mos u mërzisni! Fakti që kemi spekulime vetëm 1 në 1000, do të thotë se 999 të tjerët ose në total nga 6000, 5994 qytetarë janë shpërblyer, janë mirënjohës, u thonë faleminderit atyre që i kanë ndihmuar dhe nuk bëhen palë me parti të falimentuara moralisht, që si hiena mundohen të gjejnë e të bashkëpunojnë me spekulantë për të kërkuar më shumë se ç’u takon apo për të gënjyer që s’i kanë marrë këto pagesa. Të gjitha pagesat janë të dokumentuara”, tha Veliaj.
Ai deklaroi se PD do e marrë përgjigjen e duhur më 25 prill, kur do të mundet sërish në zgjedhje. Ai nënvizoi se ishte pikërisht PD që la qytetin pas dore.
Veliaj siguroi se nuk do të lejojë kurrë që një spekulim në një mijë të ulë ritmin e punës apo transparencën për këdo që shfrytëzon hallin e dikujt. Më tej, ai dha lajmin e mirë për ndërtimin e 10 parkingjeve të reja rezidenciale, që do t’i shtohen kryeqytetit. “Një nga gjërat që do të bëjmë më buxhetin e këtij viti është parashikimi i 10 parkingjeve të reja në Tiranë.
Gjithashtu, një pikë e rëndësishme kishte të bënte me zhvillimin e artit dhe të kulturës në kryeqytet. Kryebashkiaku tha sot, në fjalën e Këshillit Bashkiak, se institucioni që ai drejton do të vijojë të jetë sponsori më i madh i artit dhe kulturës në kryeqytet.
Këshilli po shqyrton edhe disa projektvendime që lidhen me ndihmën financiare për familjet që kanë pësuar dëme ndërtimore dhe në orendi/pajisje elektroshtëpiake, si pasojë e zjarrit, përmbytjes dhe tërmetit./dritare.net