Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Një familje holandeze më bëri të nis biznesin në vendlindje!

Një familje holandeze më bëri të nis biznesin në

Fatmir Berishta ishte 16 vjeç kur e kuptoi rëndësinë e turizmit dhe bashkë me familjen e kthyen shtëpinë e gjyshit në bujtinë. Ai nuk emigroi kurrë dhe sot ka ngritur një oazë në mes të Alpeve. Në një bisedë me gazetaren Rudina Xhunga, Fatmiri tregon se vendosën ta hapin bujtinën pasi vite më parë një familje holandeze shkoi në Theth dhe kërkoi një vend të qëndronte dhe ata ofruan shtëpinë e tyre. Ata erdhën për një ditë dhe qëndruan 4 net, thotë Fatmir. Pas saj ne nuk ndaluam më kurrë. Edhe pse shumë vite kaluan, shprehet ai, na vinte çudi me idenë se si vjen dikush në shtëpinë tënde dhe të paguan.

Një familje holandeze më bëri të nis biznesin në

“Unë nuk kam emigruar kurrë. Kur pashë rëndësinë e turizmit isha vetëm 16 vjeç, isha në shkollë. Kisha mendjen që të ikja. Por ndodhi që rastësisht takova një familje holandeze këtu në Theth. Më tha duam vend për të fjetur. I ftova në shtëpinë time. Dhe nga aty nisi gjithçka. Ata erdhën në shtëpinë tonë, hëngrën me ne. Erdhën për një ditë dhe ndenjën 4 net. Nga aty filloi dhe nuk kam ndaluar kurrë. Shumë vite më mbrapa pasi hapëm bujtinën prapë nuk më besohej sesi mund të vijë dikush të të japë lekë në shtëpinë tënde. Ne nuk ishim mësuar, bënim punë fshati dhe shihnim si na i jepnin lekët me duart e tyre. Prapë më dukej e pabesueshme. Vitin e parë kemi bërë xhiro 350 mijë lekë të vjetra, për një sezon. Sezoni i dytë 750, i treti 3 milionë e gjysmë. Dhe i katërti ka qenë 7 milionë e gjysmë. Pastaj nuk i kam numëruar më. Sot kam rreth 13-14 staf në bujtinë. Shtohen herë pas here pasi shtohet turizmi dhe ka nevojë për më shumë shërbim.”, tregon Fatmiri.

Ia vlejti që nuk ika asnjëherë, thotë Fatmiri, madje edhe ata që ikën, u kthyen e sot punojnë për mua në bujtinë.

“Ia vlejti që nuk ika jashtë. Jam shumë i lumtur që nuk ika. Madje edhe ata që kanë ikur janë kthyer dhe sot punojnë për ne. Sikur në shtete të tjera më të mëdha, me të ardhura më të mëdha të më kërkonin, nuk e ndërroj këtë vend me asnjë. Unë e adhuroj Thethin, Shkodrën, e adhuroj Shqipërinë. Kudo që të shkosh do punosh për dikë tjetër. Ndërsa në Shqipëri do punosh për vete dhe vijnë të tjerë të punojnë për ty. Edhe tani nuk është vonë. Kurrë nuk është vonë për t’u kthyer, të investosh në pronat e tua dhe të punosh në vendin tënd.” Ishte ky mesazhi i Fatmirit për këdo që është në dyshim për kthimin në shtëpinë e tij. Kthehu, investo në tokën tënde dhe ngri një oazë si kjo e Fatmiri. Padyshim që do mbushet plot me turistë dhe ne do të vijmë ta tregojmë./K.C/dritare.net