Padia prej 1 miliard dollarësh! A do t’i kërkojë BBC falje Donald Trump-it?
Dritare.net

Donald Trump ka kërcënuar BBC-në me një padi për mënyrën se si është redaktuar një prej fjalimeve të tij në një episod të emisionit “Panorama”. Sipas The Guardian, BBC është i përgatitur t’i kërkojë zyrtarisht falje Trump-it, si pjesë e përpjekjeve për të shmangur një proces gjyqësor me vlerë 1 miliard dollarë.
Megjithatë, drejtues të lartë të korporatës janë gjithashtu të vendosur të mbrojnë gazetarinë e BBC-së, përballë akuzave të Trump se televizioni ka bërë “deklarata të rreme, shpifëse, përçmuese dhe nxitëse” ndaj tij.
Udhëheqja e BBC-së po përballet me një afat të afërt për t’iu përgjigjur zyrtarisht padisë së ngritur nga ekipi ligjor i Trump në një gjykatë në Florida. Kjo padi vjen pas transmetimit të një episodi të “Panorama”, ku fjalimi i Trump-it ishte redaktuar në mënyrë që, sipas kritikëve, të dukej sikur ai kishte nxitur drejtpërdrejt sulmin ndaj Kapitolit më 6 janar 2021.
Në klipin e transmetuar, Trump dëgjohej të thoshte: “Do të ecim drejt Kapitolit dhe unë do të jem atje me ju. Do të luftojmë, do të luftojmë si ferr”, ndërsa në fakt këto fjali ishin marrë nga pjesë të ndryshme të fjalimit me një diferencë kohore gati një orë.
Sipas The Guardian, kryetari i BBC-së, Samir Shah, ka kërkuar tashmë falje për redaktimin, dhe figura të larta në korporatë mendojnë se një kërkimfalje më personale ndaj presidentit amerikan mund të ndihmojë në zbutjen e situatës. BBC ka pranuar se montazhi i bërë “la përshtypjen sikur Presidenti Trump kishte bërë një thirrje të drejtpërdrejtë për dhunë”.
Burime brenda BBC-së thanë se kërkimfalja e mundshme do t’i lejonte transmetuesit të mbronte më fort gazetarinë e tij në SHBA përballë akuzave të vazhdueshme për “fake news”. Një komision i Kongresit amerikan më herët kishte zbuluar se Trump dështoi të ndalonte përkrahësit e tij gjatë sulmit ndaj Kapitolit.
Tani që Trump ka ndërmarrë veprime ligjore, BBC përballet me një zgjedhje të vështirë: ose të hyjë në një betejë të gjatë publike me presidentin e SHBA-së, ose të pranojë një marrëveshje që mund të shihet si politikisht e ndjeshme, duke qenë se financohet me para publike përmes tarifës së licencës.
BBC ka sigurim që mbulon shpenzimet ligjore për raste të tilla, megjithatë burime të brendshme pranojnë se një proces i zgjatur do të kishte kosto të larta.
Nga ana e tij, Trump ka deklaruar për Fox News se ndjeu “një detyrim moral” për ta paditur BBC-në:
“Ata mashtruan publikun dhe e kanë pranuar këtë. Ishte shumë e pandershme. Kryetari dha dorëheqjen dhe shumë të tjerë po ashtu.”
Ekspertët ligjorë, megjithatë, kanë vënë në pikëpyetje shanset e tij për fitore, duke theksuar se ligjet për shpifjen në Florida janë më liberale, dhe se episodi në fjalë nuk është transmetuar drejtpërdrejt në atë shtet. Po ashtu, ngjarja është shumë e vjetër për të hapur një çështje në Mbretërinë e Bashkuar. Trump duhet të provojë se është dëmtuar konkretisht nga programi.
Brenda BBC-së, redaktimi i fjalimit ka shkaktuar zemërim, por edhe debate të brendshme./ The Guardian.