
PD: Skemë kriminale e blerjes së votës në qarkun e Durrësit, deri në 1 mijë euro për familje. SPAK hesht!
Dritare.net
Partia Demokratike ka sjellë sot një rast tjetër, që sipas selisë blu, vërteton që janë blerë vota në zgjedhjet parlamentare të 25 prillit. Në një deklaratë për mediat, Belind Këlliçi u shpreh se skema e blerjes së votës ka qenë kapilare, në të gjithë vendin. Sipas tij, qarku i Durrësit ku kandidonte Edi Rama përbën modelin kryesor të skemës së blerjes së votave përmes njerëzve kyçë në administratën shtetërore dhe krimit të organizuar.
DEKLARATA E PARTISË DEMOKRATIKE
Skema kriminale e blerjes së votës nga aleanca Rama-Doshi-Rakipi ka qenë kapilare, në të gjithë vendin.
Qarku i Durrësit, ku kandidonte vetë Edi Rama, përbën modelin kryesor të skemës së blerjes së votave përmes njerëzve kyçë në administratën shtetërore dhe krimit të organizuar.
3 javë para ditës së zgjedhjeve, Partia Demokratike ka kallëzuar në SPAK të gjithë personat kryesorë të përfshirë në skemën e blerjes së votave, ku në krye qendron drejtori i Operatorit të Shpërndarjes Ardian Çela dhe deputetët Lefter Koka, Jurgis Çyrbja, Rrahman Rraja dhe kryebashkiaku i Krujës Artur Bushi.
Kundër këtyre dhe një ushtrie nëpunësish që shpërndanin para dhe favore të tjera, që mblidhnin kartat e identitetit për të mos lejuar votimin e mbështetësve te opozitës, Partia Demokratike ka bërë 3 kallëzime penale në Prokurorinë e Posaçme Antikorrupsion, duke nisur me kallëzimin e parë në 2 prill.
Megjithëse pati 3 javë në dispozicion, SPAK heshti duke lejuar mercenarët e aleancës Rama-Doshi-Rakipi të zbatojnë skemën kriminale të blerjes së votave. Sot, ne po vëmë në dijeni opinionin publik se kush janë personat e përfshirë në masakrën elektorale të 25 Prillit në Qarkun e Durrësit duke përfshirë të treja kallëzimet e dorëzuara në SPAK përpara ditës së zgjedhjeve.
Ardian Çela qëndron në krye të skemës kriminale për blerjen e votave, duke siguruar para për personat e tjerë që kanë në patrinazh blerjen e banorëve në zona të ndryshme të Durrësit, ndërsa vetë është përgjegjës për Rrashbullin. Përmes të deleguarit të tij, Artur Fetaj, me precedent kriminal, Ardian Çela ka paguar 1 mijë euro për familje në këmbim të votës. Bashkëpunëtor në skemën kriminale për blerjen e votave në Rrashbull ka qenë edhe Alion Hyska, drejtor i Ndërmarrjes së Rrugëve Durrës, Ruzhdi Murtini, punonjës i OSHEE, Mariglen Mullai, si dhe Albert Bugaçi, administrator i njësisë Rrushbull. Artur Fetaj, ka qenë përgjegjës edhe për blerjen e votës në zonën e Shkallnurit.
Një nga personat më aktivë për blerjen e votës, direkt nën varësinë e Ardian Çelës është drejtori i OSHEE Durrës, Plator Mehmeti.
Në Shijak, skema kriminale e shpërndarjes së parave për blerjen e votës është zbatuar përmes Altin Hajrit. Ky është një personazh i njohur i krimit të organizuar, aktualisht i shpallur në kërkim për vrasje. Megjithëse në kërkim, krimineli Hajri ka lëvizur lirisht për të blerë vota për pushtetin e Edi Ramës. Kontaktet kyçe të tij janë Ardian Çela i OSHEE-së dhe deputeti socialist, Jurgis Çyrbja.
Në Shijak, ishte shumë aktiv në blerjen e votave edhe Durim Keçi. I dënuar në Itali për disa vepra të rënda penale, ai është pjesë e mekanizmit për blerjen e votave për të mbajtur në pushtet Edi Ramën.
Blerja e votës në zonën e Spitallës në Durrës mbulohet nga Arbër Koka, djali i deputetit të Partisë Socialiste, Lefter Koka. Ai bashkëvepron me Gentian Thartorin, Roni Shqopën, Fetah Mataj dhe Emilian Lakon, persona me rekorde kriminale.
Në Sukth, u angazhua për blerjen e votave Bert Hoxha, i cili ka mbajtur detyrën e Administratorit të Sukthit. Bashkë me të ashtuquajturin Rumi dhe Gëzim Hoxhën njihen në zonë si persona të dhunshëm, që, në zgjedhjet e mëparshme, kanë kërcënuar me armë përfaqësuesit dhe mbështetësit e Partisë Demokratike, duke i larguar nga procesi i votimit./dritare.net

















