Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Policia çmonton 20 kamera sigurie në Fier dhe Lushnjë, 5 persona nën hetim!

Policia çmonton 20 kamera sigurie në Fier dhe Lushnjë, 5

Policia e Fierit në kuadër të operacionit ‘Fije’, ka çmontuar 20 kamera sigurie në Fier dhe Lushnjë, që mendohet të jenë vendosur nga grupe kriminale në kundërshtim me ligjin me qëllim vëzhgimin e efektivëve të policisë.

5 prej këtyre kamerave ishin vendosur në qytetin e Fierit dhe 15 të tjera në qytetin e Lushnjës. Pesë persona janë vënë nën hetim deri tani për kamerat e sekuestruara.

Në Fier, 5 kamera sigurie u çmontuan në lagjet “8 shkurti” dhe “Liri” dhe u vunë nën hetim dy persona, A.B dhe K.K.

Ndërsa në Lushnjë u çmontuan dhe sekuestruan 15 kamera sigurie të vendosura në lagjet "18 Tetori" dhe "Loni Dhamo", për të cilat u vunë nën hetim tre persona, K. T., S. T. dhe K. A.

Deri tani, në bazë të operacioni, policia ka çmontuar 181 kamera në 5 qarqe, më konkretisht 59 në Shkodër, 47 në Durrës, 16 në Vlorë 39 në Korçë dhe së fundmi 20 në Fier. Kamerat ishin të instaluara në shtylla elektrike, në zona që konsiderohen si shumë të frekuentuara nga qytetarët. Të gjitha kamerat e çmontuara dyshohet të jenë të lidhura me aparate celulare dhe komandimi i tyre të bëhet përmes internetit, edhe nga jashtë shtetit, dyshohet në Gjermani.

Sipas hetuesve këto kamera ishin “sytë” e njerëzve të krimit për të monitoruar lëvizjet e policisë. Operacioni nisi fillimisht në kryeqendrën e veriut, Shkodër, ku kamerat ishin vendosur në lagjet e fiseve Lici dhe Bajri. Po ashtu edhe në Shijak ishin vendosur nga anëtarë të bandës së Avdyljave dhe konkretisht u vunë në hetim Albert Muharremin vëllai i Rrumit të Shijakut, Xhulio Vora, Astrit Balliu (Avdyli), Jasin Kala (Avdyli), Altin Avdyli dhe Sajmir Gjepali.

Pas aksionit të fundit në Korçë, me urdhër të kryepolicit Muhamet Rrumbullaku u është kërkuar të gjitha drejtorive të policive në vend që të verifikojnë për kamera të ngjashme të vendosura në kundërshtim me ligjin, edhe në qarqet e tjera./A.ZH-dritare.net