
Votojnë 22 milionë amerikanë/Rekord pjesëmarrësish në zgjedhjet presidenciale të SHBA
Dritare.net
Zyrtarët shtetërorë të zgjedhjeve në SHBA po raportojnë numra rekord të votave të hedhura përpara ditës së zgjedhjeve në 3 nëntor. Më shumë se 22 milionë amerikanë kanë votuar personalisht ose me postë. Ky është një numër tejet i lartë, krahasuar edhe me zgjedhjet e 2016, ku në të njëjtën periudhë, kishin votuar 6 milionë amerikanë.
Ekspertët thonë se rritja e numrit të votuesve lidhet me pandeminë e koronavirusit, informon dritare.net. Një risi është edhe numri i grave dhe amerikanëve me ngjyrë, të cilët po votojnë në masë. Po kështu, është shtuar së tepërmi numri i të rinjve. Në zgjedhjet presidenciale të Amerikës, përgjithësisht ka pasur një numër të ulët votuesish në moshë të re, por siç parashikohet këtë herë, mund të thyhet edhe rekordi i vendosur në 2008, në zgjedhjet kur kandidoi Barack Obama./L.F-dritare.net

















