Shpërthimi me 2 të vdekur në Lushnje, arrestohet sipërmarrësi!
Dritare.net
Është arrestuar disa ditë më vonë për shpërthimin në Lushnje, sipërmarrësi Leonard Gjini, 32-vjeç. 32-vjeçari akuzohet për veprën penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”, pas shpërthimit në kapanonin ku humbën jetën 2 persona dhe u plagosën shtatë të tjerë, mes tyre dhe deputeti i PS, Bujar Çela.
Sipas policisë, sipërmarrësit duke qenë i autorizuar për kryerjen e ndërtimit të kapanonit, ka lejuar kryerjen e punimeve, pa respektuar rregulloret e sigurimit teknik.
“Vijojnë veprimet hetimore dhe procedurale, në drejtimin e Prokurorisë së Fierit, për dokumentimin e rrethanave të shpërthimit të ndodhur në një kapanon në ndërtim, më datë 01.03.2024. Në vijim të këtyre veprimeve, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Lushnjë ekzekutuan urdhrin e prokurorit, për ndalimin e shtetasit: L. Gj., 32 vjeç, banues në fshatin Goriçaj, për veprën penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”, me pasoja të rënda.
Nga veprimet hetimore dyshohet se ky shtetas, me mosveprimet e tij, duke qenë i autorizuar për kryerjen e ndërtimit të kapanonit, sipas kontratës së sipërmarrjes, ka lejuar kryerjen e punimeve, pa respektuar regulloret përkatese të sigurimit teknik, të disiplines teknike të mbrojtes në punë dhe nuk ka marë masa për zbatimin, duke sjellë pasoja të rënda. Si pasojë e shpëthimit në kapanonin me lëndë djegëse, në lagjen “Karbunarë e madhe”, më datë 01.03.2024, ndodhi një shpërthim nga i cili humbën jetën 2 shtetas dhe u dëmtuan 7 të tjerë të cilët janë jashtë rrezikut për jetën.
Vijojnë hetimet për dokumentimin e plotë ligjor të rrethanave të kësaj ngjarjeje. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, për veprime të mëtejshme”, njofton policia./M.K-dritare.net