Si shkoi ari shqiptar në Zvicër. Dëshmitari tregon çfarë ndodhi në vitin '88
Dritare.net
Nikoll Marku ishte drejtor në uzinën e Bakrit në Rubik, kur Shqipëria prodhonte ar. I ftuar në emisionin Shqip nga Rudina Xhunga në Dritare TV, ai tregoi se që prej vitit 1935 kjo uzinë prodhonte bakër, ndërsa pas 1964 nisi të prodhojë ar, së pari në sasi të vogla e më tej në sasi më të mëdha. Zoti Marku vinte vulën për cilësinë e floririt të prodhuar në uzinë , që kishte një përmbajtje prej 99.95% ar. Në kohën e ndërrimit të sistemeve, Marku së bashku me përfaqësues të thesarit të shtetit, transportuan floririn e Shqipërisë në Zvicër për t’u ruajtur atje. Analizat e bëra nga Zvicra, treguan të njëjtat rezultate, ashtu sikurse ai i kishte raportuar në Uzinën e Bakrit në Rubik.
“Unë kam qenë drejtor i uzinës së Rubikut. Nxjerrja e arit filloi në vitin 1964. Unë nisa punë aty pasi mbarova fakultetin e shkencave si kimist, fillimisht te Fabrika e Repsit.
Në vitin 2000 uzina e Rubikut ku është prodhuar ar, u mbyll. Kallëpet e arit, që nxirrte uzina e bakrit Rubikut, ishin standard, 12 kg me përmbajtja 99.95 për qind ar.
Pasi nxirrej minerali, futej në furrë dhe kalonte në bakër blister. Nga bakër bliste, kalonte edhe një fazë tjetër përpunim në furrë dhe kalonte në anodë, ku bëhej elektroliza. Shllami binte poshtë në vaskat e elektrolizës dhe ky shllam futej në repartet apostafat për nxjerrjen e arit.
Ky flori kalonte në elektrolizën e arit për t’u pastruar dhe kalonte në ar fino, 99.95 % dhe nuk lejohej të dërgohej në e bankën e shtetit, nëse nuk kishte këto cilësi.
Unë bëja analizën e floririt brenda uzinës së Bakrit Rubik. Kishim një laborator shumë cilësor, më i miri i Ballkanit. Them më i miri sepse kishte metodën dhe aparaturat apostafat për të bërë analizat shumë të saktë. Arrita të nxirrja analiza shumë të sakta për cilësinë e floririt. Këtë e vërtetuan edhe përgjigjet e njëjta që iu bënë floririt të Shqipërisë në Zvicër.
Kur shkova në Zvicër për të çuar atje floririn, analizat e ribëra treguan se të gjitha analizat që bëmë në Shqipëri, ishin shumë të sakta.
Në vitet e ndërrimit të sistemit, u dha urdhër që thesari i shtetit të shkojë për ruajtje në një nga filialet tona në Zvicër ose në Amerikë. Na thanë të bëhemi gati për të mbrojtur cilësinë tonë të floririt që do të shkonte atje. Ne duhet të mbronim cilësinë e raportuar. Unë kisha hedhur firmën për cilësinë e arit. Ndaj duhet të shkoja të verifikoja cilësinë. Unë nuk kisha frikë isha i sigurt për analizat që kisha bërë dhe raportin që kisha firmosur. Shkuam në Zvicër, me pak frikë sepse ishim në një avion plot me ar. Ishim me përfaqësuesit e thesarit të shtetit dhe unë. Në Rinas hipëm në një avion enkas për të transportuar arin e Shqipërisë. Gjithë sasia që ishte nxjerrë nga Rubiku, u bë gati nëpër ambalazhe apostafat për t’u transportuar në Zvicër.
Për sa i takon sasisë, ishte rreth 2 ton ar dhe 25 ton argjend.
Kur shkuam në Zyrih udhëheqës të shtetit morën në telefon drejtorin e thesarit në telefon dhe i thanë që ne kemi festë sonte që keni arritur shëndoshë e mirë në Zvicër. Aty e kuptuam që kishim qenë në rrezik, por në asnjë rast nuk e kishim menduar një skenar që avioni të mund të goditej. I gjithë udhëtimi jonë ishte sekret, as familjes nuk ia kishim treguar.
Çdo kallëp ari, rakordoi me analizat që kisha bërë unë në laboratorin e uzinës në Rubik. Ndaj na përgëzuan shumë për punën e bërë në uzinën e Rubikut.
Sot floriri jonë është atje, te filiali i Shqipërisë.”, u shpreh zoti Marku në Shqip në Dritare TV./L.F-dritare.net