Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Vjosa Osmani për Reuters: Kosova është nën sulm!

Vjosa Osmani për Reuters: Kosova është nën sulm!

Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani në një intervistë për Reuters për ngjarjen e 24 shtatorit në në fshatin Banjskë të Zveçani tha se “Kosova është nën sulm”. Ajo ka akuzuar Serbinë dhe presidentin e saj Aleksandar Vuçiç, për sulmin terrorist ku mbeti i vrarë rreshteri policor Afrim Bunjaku.

“Grupi (i armatosur) thjesht ushtroi synimet dhe motivet e Serbisë si shtet dhe Vuçiçit si udhëheqës”.

Osmani tha se Serbia ka ende pretendime territoriale ndaj Kosovës dhe po vepron për të përmbushur një ‘model të Krimesë’ duke krijuar tensione në veri të Kosovës, ku rreth 50,000 serbë vendas ende e shohin Beogradin si kryeqytetin e tyre dhe refuzojnë sundimin nga Prishtina, shkruan Reuters.

“Ajo që unë do t’i thosha presidentit Vuçiç është ndalini ngatërresat me Kosovën. Kosova do ta mbrojë lirinë, pavarësinë dhe sovranitetin e saj me çdo çmim. Ata po përpiqen të realizojnë një model të Krimesë në Republikën e Kosovës, por ne absolutisht nuk do ta lejojmë të ndodhë… [ne] do të mbrojmë çdo pëllëmbë të territorit të Kosovës”.
Rusia pushtoi dhe aneksoi rajonin e Krimesë të Ukrainës në vitin 2014 dhe autoritetet e Kosovës kanë frikë se Serbia mund të shkëputë pjesën veriore të Kosovës.

Osmani u shpreh për Reuters se sulme të ngjashme mund të përsëriten edhe në një të ardhme të afërt dhe kërkoi nga bashkësia ndërkombëtare që të bëjë gjithçka që Serbia të mos përkrahë grupe të tilla.

“Jam shumë e shqetësuar se sulme të tilla, qoftë edhe më të mëdha, mund të ndodhin në të ardhmen nëse Serbia nuk dënohet, para së gjithash për këtë akt terrorist agresioni”, tha ajo.
Presidentja e Kosovës shtoi se bisedimet mes dyve vendeve nuk mund të vazhdojnë si më parë.

“Absolutisht nuk është më si zakonisht. Ne kemi qenë viktima të një agresioni të Serbisë dhe të gjithë duhet ta trajtojnë atë si të tillë, edhe në qasjen e tyre ndaj Serbisë tani e tutje”.