
Xi Jinping, Putin dhe Kim Jong Un në një bisedë të pazakontë për jetën deri në 150 vjeç
Dritare.net
CNN
Në një moment të rrallë presidenti kinez Xi Jinping u dëgjua duke biseduar me presidentin rus Vladimir Putin dhe udhëheqësin koreanoverior Kim Jong Un për mundësinë që njerëzit të jetojnë deri në 150 vjeç.
Ky episod ndodhi të mërkurën, teksa tre liderët ecën krah për krah drejt tribunës për të ndjekur paradën e madhe ushtarake në Sheshin Tiananmen të Pekinit. Parada, e organizuar për të shënuar 80-vjetorin e fitores ndaj Japonisë në Luftën e Dytë Botërore, u pa nga shumë analistë perëndimorë si një shfaqje fuqie ushtarake dhe partneritetesh mes Pekinit, Moskës dhe Phenianit përballë rendit botëror të udhëhequr nga SHBA.
Në të 70-at, njerëzit janë ende të rinj
Pas fotos së përbashkët me 26 liderë të huaj të pranishëm në Pekin, Xi, Putin dhe Kim u nisën drejt vendeve të tyre, duke biseduar përmes përkthyesve. Në një pjesë të bisedës së kapur nga mikrofonët, Xi i tha Kim-it: “Jam shumë i lumtur. Ka kaluar shumë kohë që nuk jemi takuar”. Kim iu përgjigj përmes një përkthyesi se kishin kaluar gjashtë vjet që prej takimit të fundit.
Më tej, Xi dëgjohet duke thënë: “Tani njerëzit në të 70-at janë ende të rinj. Dikur, rrallë kush jetonte mbi 70, por sot në atë moshë je ende si fëmijë.”
Nga transplantet tek “pavdekësia”
Teksa ngjiteshin drejt tribunës, një përkthyes rus dëgjohet duke i thënë Xi-së: “Pas disa vitesh, me zhvillimin e bioteknologjisë, organet njerëzore mund të transplantohen vazhdimisht, në mënyrë që njeriu të jetojë gjithnjë e më i ri, madje edhe të bëhet i pavdekshëm.”
Xi shtoi: “Parashikimet thonë se në këtë shekull njerëzit mund të jetojnë deri në 150 vjeç.” Putin e konfirmoi më pas këtë bisedë para gazetarëve, duke theksuar se mjetet moderne të mjekësisë dhe teknologjitë e reja kirurgjikale japin shpresë për rritje të ndjeshme të jetëgjatësisë.
Liderë pa pasardhës të qartë
Xi dhe Putin, të dy 72 vjeç, nuk kanë emëruar pasardhës të qartë politikë. Xi, i cili në vitin 2018 hoqi kufizimin e mandateve presidenciale në Kinë, ka konsoliduar pushtetin më shumë se çdo lider tjetër kinez që prej Mao Ce Dunit. Putin, ndërkohë, e ka zgjatur sundimin e tij përmes ndryshimeve kushtetuese që i lejojnë të qëndrojë në pushtet deri në vitin 2036.
Kim Jong Un, 41 vjeç, mbetet dukshëm më i ri dhe ka mundësi të udhëheqë edhe për dekada. Por në Pekin tërhoqi vëmendje shfaqja e vajzës së tij, Kim Ju Ae, e cila u pa duke e shoqëruar, duke hapur diskutime mbi mundësinë që ajo të jetë trashëgimtarja e ardhshme e regjimit të dinastisë Kim./L.F-dritare.net

















