Na ndiqni edhe në

Opinione

“Bisedimet” janë shpikje e Berishës për t'i mbajtur kundërshtarët e vet në kafene

“Bisedimet” janë shpikje e Berishës për t'i

Nga Mero Baze

Gazment Bardhi ka bërë një propozim me 6 pika për Sali Berishën, të cilat në thelb kërkojnë bashkimin e PD rreth të zgjedhurve nga elektorati dhe respektimin e palëve si dy fraksione që duhet të bashkëjetojnë me rregulla të qarta loje.

Propozimet janë thelbi i fushatës përbaltëse të Sali Berishës kundër Lulzim Bashës prej një viti, duke ua premtuar pikërisht këto gjëra demokratëve. Në përpjekje për të uzurpuar PD, pas përjashtimit të tij nga Grupi parlamentar, Berisha ngriti një sërë akuzash pikërisht për mungesën e rregullave të lojës brenda PD.

Pasi nuk e mori dot PD nën kontroll, ai ndau fraksionin e vet dhe aty jo vetëm që nuk zbatoi asnjë rregull loje, por mblodhi rreth vetes figurat më qesharake të PD në vite, që të ndjehet i sigurtë në sundimin e tij.

Tani propozimet e Gazment Bardhit vlejnë vetëm për t’i kujtuar Berishës se këtë luftë e ka nisur për të ndarë PD dhe për ta sunduar atë, dhe jo për ta bashkuar dhe për ta forcuar. Por mbi të gjitha vlejnë për t’u kujtuar se Berisha as formalisht nuk pranon të bisedojë me kundërshtarët brenda partisë.

Atij i intereson vetëm angazhimi i këtij grupimi me bisedime të kota, derisa të afrohen zgjedhjet me qëllim që të mos kenë mundësi të angazhohen në zgjedhje dhe të futen në garë.

Në fund, nëse grupi i Bashës nuk hyn në garë, nuk ka kandidatë dhe nuk faktorizohet politikisht, nuk ka rëndësi nëse ka pranuar apo jo kushtet e Berishës. Ai nuk do të ekzistojë më pas zgjedhjeve dhe “bisedimet” e kanë përmbushur qëllimin e Berishës.

Me Berishën bisedohet nga pozitat në të cilat përpiqet Berisha të bisedojë. Berisha po përpiqet të bisedojë nga pozitat e një kryetari partie “de facto” që kërkon të ulë gjakrat me disa djem që e kanë share, “përveç njërit”, që në fakt është i vetmi që e ka mbajtur gojën për fat të keq.

E vetmja mënyrë që ai të angazhohet është që grupi i Bashës të sillet si parti ku nuk ka rëndësi kush e ka vulën apo firmën. Të sillet si një parti që nuk ka punë me Sali Berishën. Per këtë, të nxjerrë kandidatët e vet, të forcojë strukturat e veta në rrethe që po rezistojnë më shumë se grupi i Bashës në Tiranë dhe të shkojë në betejë.

Kjo është e vetmja pozitë me të cilën mund të dialogosh me Sali Berishën. Bisedime në kafene, janë thjesht vrasje kohe. Ato nuk kanë asnjë domethënie politike, nëse Berisha nuk tërhiqet nga pozicioni i uzurpatorit të PD. Dhe mos prisni ta bindë Edi Paloka për këtë. Ky i fundit është thjesht një ushtar që është gati të uzurpojë dhe Kryeministrinë më 12 nëntor, e jo më PD.

Qëlimi i “bisedimeve” të Berishës është t’i mbajë kundërshtarët e vet në kafene deri në fund të luftës, pas së cilës këta dalin të vdekur politikisht.

Pas kësaj, Berishës i bie të bëjë paqe me “të vdekurit” . Dhe këtë ai e ka bërë gjithmonë. Madje dhe me ata që ka eleminuar vet fizikisht. Të gjithë i qan./gazetatema