Na ndiqni edhe në

Opinione

Dimensionet e Gërdecit të pahetuar

Dimensionet e Gërdecit të pahetuar

Nga Ylli Pata

Ka realisht një retorikë të shumtë, madje kakofoni kur flitet për akuzat e abuzimit me detyrën të zyrtarëve të lartë. Që në të vërtetë nuk përbën fenomen shqiptar. Pasi abuzimi, konflikti i interesit dhe mënyra e sjelljes me kolltukun, është më shumë se një fakt penal, një koncept filozofik, e rrallë gjendet ”Filli Arianës” për të shpjeguar se ku është krimi. Një dëshmi, një fakt i marrjes së rryshfetit, i punësimit apo shpërblimit të një familjari apo njeriu të afërt e tjerë, a një përgjim bisede që flet për këtë fenomen, munnd të zbulojë krimin apo shkeljen e nenit përkatës së Kodit Penal. Ndërsa ngjarje të rënda si vrasja, sidomos vrasja masive, e në rastin tjetër e cilësuar, por edhe e fëmijëve, nuk lejon hapësirë për të diskutuar për të mbrojtur, për të amnistuar apo parashkruar. Një nga këto ngjarje është Tragjedia apo Katastrofa e Gërdecit. 26 të vrarë dhe mbi 200 të plagosur. Ndër të cilët disa të mitur, si Edison Durda, djali i Zamira Durdës, e cila duket se është e vetmja viktimë e asaj tragjedie. Në fakt nuk është e vetmja, edhe pse vetëm pak kanë folur, vetëm pak kanë pranuar të përballen me një pushtet të tmerrshëm që ka tentuar të mbrojë apo amnistojë fajtorët. Po cili është krimi i Gërdecit? Ai nuk është krim terminal, por një krim i nisur nga vija e parë, që është vjedhja e korrupsioni. Djali i Kryeministrit mori përsipër të shesë municionet e ushtrisë shqiptare, duke përcaktuar çmimin, blerësin, por edhe njeriun apo skuadrën që të bëjë ambalazhimin. Pastaj, gjeti edhe blerësin për barutin dhe bronxin që dilte nga demontimi predhave të artilerisë. Një akt mekanik që e kanë kryer gjithmonë ndërmarrjet e specializuara të ushtrisë shqiptare në Poliçan dhe Gramsh. Por djali i kryeministrit të atëhershëm, vendos që këtë ta bëjë një operator që merrej me shitjen e hekurit dhe ndërtimet. OK, edhe mund të ndodhë, sikur ta bënte në bunkere të veçuara anës malit, por zgjodhi një fshat pranë Vorës që kishte ngjitur Rinasin, ku edhe nuk dukeshin kamionët e transportimit, edhe kushtonin më pak, edhe fluturimet me avionë zgjidheshin kollaj.

Pra caktimi i Gërdecit si zonë demontimi është bërë me qëllim, për arsye fitimi dhe leverdie. Por rreziku për popullsinë si pasojë e municioneve që janë material i ndezshëm dhe i shpërthyeshëm, qëndron. Nuk se mund të ndodhë rastësisht, përqindja e rrezikut është gjithmonë aty.

Pra shkelja e parë e nenit të Kodit Penal është aty; ka qenë prej ditën e parë. E për këtë duhet të dënoheshin që nga ministri e deri tek kryeministri që ka lejuar që në Gërdec të ndërtohej një punishte demontimi. Pasi kanë pranuar ta ndërtojnë edhe pse rreziku për qytetarët, përkatësisht banorët por edhe më gjerë, ishte i pranishëm.

Por siç dihet ne nuk kemi drejtësi, nuk kemi pasur përgjithësisht. Megjithatë, në kohën kur flasim, pra në kohën kur Prokurore e Përgjithshme ishte Ina Rama, kishte lëvizje të rëndësishme. Përkatësisht prokurorë që hapnin dosje edhe për të mëdhenj. Por për Gërdecin asnjëherë nuk u hap një dosje për implikimin e kryeministrit nëpërmjet influencës së familjarëve, përkatësisht djalit të tij. Sepse krimi këtu, nuk është kush e shkaktoi ndezjen e barutit në Gërdec, por kush e lejoi ngritjen e një punishte demontimi, edhe pse dihej se do të shpërthente. U bë për një arsye banale, siç u zhvendos Kosta Trebicka, i cili përveçse ishte një operator perfekt i amballazhimit, ishte qytetar amerikan dhe me kontakte të rëndësishme.

Një ”veti” që shumëkush i druhet. Në këtë rast Berisha dhe i biri as s’e rruan, siç thonë sot për SPAK. Sepse konsideronin veten të paprekshëm. E kështu vepruan edhe kur u vranë 26 vetë e u plagosën mbi 200. Një pjesë i paguan heshtjen por jo të gjithëve. Megjithatë e relativizuan çështjen për kaq shumë vite, e ka disa analistë panelesh që kur dalin në TV thonë se nuk ka faj kush. Po kush ka faj për vrasjen e Edisonit dhe të tjerëve më 15 mars 2008? Kanë kaluar shumë vjet? Edhe? Aq më keq akoma pasi çdo vit që kalon rëndohet edhe më shumë faji./dritare.net