Na ndiqni edhe në

Opinione

Duartrokitjet ndaj Kurtit, ishin më të rënda sa gabimi i tij matematikor!

Duartrokitjet ndaj Kurtit, ishin më të rënda sa gabimi i tij

Nga Artan Fuga

Kryeministrin e Kosovës zotin Albin Kurti, unë e pëlqej. Por, kjo nuk më bën të mos qesh me atë që i ndodhi atij kur vajti në një klasë ndofta të ciklit pasfillor në Kosovë, për të inaguruar fillimin e vitit të ri shkollor.
Pa në dërrasë të zezë një ekuacion të gradeës së parë, me një të panjohur, dhe kapi shkumësin, sepse iu duk se mund ta zgjidhte. Dhe ja futi kot. Krejt kot! Veprime matematikore elementare të gabuara, që edhe një nxënës adoleshent nuk duhet t'i bëjë.
Uaaaaa!

Ishte vërtetë qesharake, pra një akt që do të mbetet në histori, aq më shumë se u bë video dhe do të mbetet gjatë gjithë shekullin në web.
Por, kjo gafë arithmetike elementare tregoi në mënyrë simpatike se ai është një njeri i sinqertë, edhe në gafat e tij elementare, kurse shërbimet e tij të komunikimit janë naive. Po më mirë naive sesa bizantiniste, manipuluese, dhe gabimit t'i thonë : hë mo se e bëri kastile!
Ai e pranoi se ja futi kot!

Por, nuk është ky incident që më tërheq vëmendjen. Unë jam i bindur se 99 përqind e deputetëve të Kosovës, Shqipërisë, po të doni edhe të BE, po t'u japësh një ekuacion të gradës së dytë, me dy të panjohura, lëre po t'u japësh një ushtrim kimie inorganike, apo një temë filozofie, apo të zgjidhin ndonjë ushtrim gjeometrie deskriptive, lëre të gjejnë kosinusin e një këndi, apo të dinë si matet orbita e një planeti, apo të zënë kos, etj., do të mbeten si guakë.
Edhe kjo nuk është problem. Zakonisht deputetë bëhen ata që kanë qenë nula në shkencat ekzakte ose natyrore, llafollogë si i kanë quajtur shoqet e shoket e klasës, ose lloj lloj fabulatorësh. Sigurisht me përjashtimet e rastit.

Puna është se kur qeverisin ka nga këta politikanë që hiqen sikur i dinë të gjitha. Flasin për ekonomi, për financë, për histori, sport, arkitekturë, governancë, gjeopolitikë, ndërtim rrugësh dhe urash, urbanistikë, etj., a thua se janë shkencëtarë, dijetarë, enciklopedistë.
Përtej sjelljes së tyre sikur të ishin Aleks Komneni i Bizantit që grumbullonte pushtete, këta duan të jenë edhe qeveritarë, edhe kryendërtues urash, edhe kryeurbanistë, edhe kryekancerologë, edhe kryemuratorë, edhe kryefinancierë, edhe kryepsikologë, kryefilozofë, kryesociologë, po se po se ato i kanë aftësi të lindura qysh në djep.

Madje edhe kryegazetarë!

Jo vetëm kaq, deputetët bëjnë ligje pa asnjë ekspertizë teknike dhe shkencore, pa marrë asnjë oponencë nga intelektualë dhe studjues. Kur kam parë në komisionin e medias dhe edukimit të Kuvendit kur ndonjë ose dy deputetë të merren si amatorë fillestarë edhe me akademinë e shkencave, veç keqardhjes më ka ardhur edhe të shkrihesha gazit me padijen e tyre faraonike.
Mbi të gjitha shihet sa e tmerrshme është kontrolli politik ndaj institucioneve universitare, shkencore, studimore. Kur kërkuesit- shkencor në vend të nxjerrin rezultatet e tyre pavarësisht se i pëlqejnë ose jo politikës,, janë të detyruar të thonë që 1 plus 1 bëjnë 5, sepse ashtu do politika.

Dhe ne jemi shpesh në këtë gjendje.
Kam parë një herë një portier të madh të kombëtares që shtrihej në anën tjetër që topi i gjuajtur nga një pushtetar kryesor të hynte në rrjetë. Kjo skenë ndodhëte nën duartrokitjet e sinqerta të ministres së sporteve të asaj kohe që rrinte aty te zona e rreptësisë!!!
Thashë edhe njëherë, shërbimet e komunikimit të zotit Albin Kurti janë treguar në naive dhe të sinqerta, sikurse paraqitet në përgjithësi në folklorin urban një kosovar para një shqiptari të Shqipërisë, mashtrues dhe dinak (!), sepse ata mund t'ja kishin dhënë zgjidhjen më parë kryeministrit të tyre dhe ai të paraqitej edhe si gjuajtës penalltish.
Veç në mos opozita kosovare ka ndërhyrë për t'i dhënë zgjidhjen e gabuar.
Por, mbi të gjitha më lemerisi zysha. Ajo me siguri e kuptoi se kryeministri i saj ja futi kot, dhe megjithatë duartrokiti. Duartrokiti sikur Albini të ishte Punkareja. Imagjinoni se çfarë shembulli i dha ajo nxënësve të vet, që me siguri u sollën si një turmë mitingashësh që duartrokasin çdo budallallik që thonë folësit në tribunë.

Si nuk foli njeri aty duke i thënë zotit kryeministër: Po ja fut kot or ti!

Jo, jo, askush!

Prandaj mendoj se zoti Kurti që ta çojë deri në fund pastërtinë e tij duhet të shkarkojë për gabimin e tij me ministër arësimi, me inspektorë që ishin aty, si edhe t'i japë një paralajmërim për pushim nga puna mësues duartrokitëse, sikurse t'u kërkojë ndjesë nxënësve të asaj klase!
Gabimi elementar arithmetik nuk ishte asgjë. Por, zoti Kurti duhet- të kuptojë se duartrokitjet që mori aty për atë gafë që bëri, tregojnë se ka gabime në mënyrën si qeveris. Pra, edhe kur ja fut kot, vartësit e tij e duartrokisin në vend t'i thonë: Korrigjohu zoti Kryeministër!

Ky është gabimi!

Këto janë gabimet serioze që duhen korrigjuar! Që të mësojnë edhe të gjithë qeveritarët atje dhe në Shqipëri që vartësit e tyre i duartrokisin për çdo hajvanllik që mund të bëjnë!
Intelektuali që duartroket gabimet e politikanit është pikërisht vemja më e keqe e shoqërive tona, është ai që bën që pushtetarit t'i hyjë vetja në qejf, t'i duket vetja si Buda, dhe të kërkojë naftë jo aty ku ka, por aty ku thotë shoku Enver!/dritare.net