Na ndiqni edhe në

Opinione

Gerti Bogdani dhe sindroma e “çunit të mirë”

Gerti Bogdani dhe sindroma e “çunit të mirë”

Nga Ruben Avxhiu

E kanë thënë shumë vetë këto ditë, të tronditjes kombëtare për vdekjen e parakohshme të Gerti Bogdanit dhe paradës përshkruese të virtyteve personale të këtij djali të ri:

“Kur paska qenë kaq i mirë, Pse nuk e ka përdorur pak më shumë e më mirë shoqëria shqiptare? Pse nuk i është dhënë më shumë mundësi, më shumë dukshmëri, më shumë rol? Pse nuk janë njerëzit si ai fytyra e opozitës shqiptare, fytyra e shtetit shqiptar, e institucioneve publike shqiptare?”

Vërtet që politika dhe shoqëria shqiptare u bashkuan në një kor në vlerësimin e këtij njeriu, të provokuar sigurisht nga ikja e pakuptueshme dhe e parakohshme e një djali të ri. Nga që na kujtoi të gjithëve se sa të brishtë jemi. Se sa lehtësisht të thyeshëm e të largueshëm nga kjo jetë.


Do të kishim qenë të gjithë më të qetë po të ishte mbipeshë, apo i tharë nga uria, pijanec abuziv, I çthurrrur në mos i mplakur, me probleme shëndetësore e shenja paralajmëruese. Por, Gerti nuk kishte asnjë nga këto, duke na futur frikën ne të pathyeshmëve e të pamposhturve, neve që e dimë se vdekja është për të tjerët, ata që e meritojnë për mënyrën si jetojnë e si sillen.


Kishte edhe arsye të qarta pse të majtë e të djathtë u bashkuan për ta kujtuar e përcjellë me dhimbje. Nuk ishte më politikan aktiv. Kur kishte qenë nuk e kishte prishur gojën. Nuk ishte treguar harbut. Kur e kishin larguar nuk kishte bërë zhurmë, nuk kishte gjuajtur me gurë miqtë e aleatët. E kishte pranuar mënjanimin me dinjitet. Me qetësinë e atij që ka pasur dhe ende kishte rrugë të tjera në jetë për të kontribuar. Njerëz të tillë mënjanohen e hidhen lehtë. Nuk të vrasin. Nuk marrin hak. Janë të cunguar nga edukata dhe gjerësia e mendjes dhe shpirtit.

Problem është kur i ke miq e të afërm, aleat dhe prijës, se nuk bëjnë favore të pamerituara. Edhe kur i meriton e ka vështirë t’i bëjë se duhet t’u imponohet strukturave, duhet të përleshet me zorzopët dhe servilët, me bullizuesit dhe hakërryesit, me gojëprishurit e barbarët që popullojnë jetën politike në Shqipëri.

Ky lavdërimi “çun i mirë” ka pasur historikisht në Shqipëri edhe ofendimin brenda, madje edhe përbuzjen. Ashtu të nënkuptuar. I atillë nuk është vetëm njeriu i virtytshëm dhe i edukuar, i urtë dhe i kujdesshëm. Është edhe ai, i skartueshmi, i dhunueshmi, i harrueshmi. Ai për të cilin njerëzit me fjalë ia mbajnë anën por jo me vepra. Ai që në fund të gjithë e lënë pas nëse kërcënohen nga “djemtë e këqinj” të çdo kohe.

Në fund, vlera e një shoqërie matet pikërisht nga kapaciteti dhe gatishmëria për t’u bërë vend djemve dhe vajzave të një edukate dhe karakteri si ky që duket se simbolizonte edhe Gerti Bogdani.

Mbase politika nuk është ende fusha ku njerëzit si Bogdani duhet të drejtojnë potencialin e tyre. Por nga ana tjetër, a ka fushë profesionale në Shqipëri, që nuk është vënë në diktatin e panevojshëm dhe grykës të politikës? Nga skenat e koncerteve, te sallat shkencore, politika vigjëlon, shpërblen, dhe ndëshkon. Çuna e goca të mira, të gjithë të mirëseardhur, sa kohë që ulen në cepin që u caktojnë dhe zbukurojnë fasadën, vërtetojnë narrativën, dhe mbeten të përthyeshëm, të zëvendësueshëm, të spostuesshëm. Rinia që po ikën? Truri që po rrjedh jashtë? Janë të gjitha shqetësime të zbrazëta. Ikja e rinisë siguron mungesën e ndryshimit. Për tru, nëse ka një vend ku i dinë të gjitha e nuk kanë nevojë për sqarime është Shqipëria. Përkundrazi, nëse dikush nuk është i qartë për ndonjë temë, pavarësisht se në çfarë fushe, le të shkojë në Shqipëri. Je kudo i rrethuar nga ekspertë.


Është ironi e dhimbshme, por fakt, që vdekja mizore vërtet që ia shkurtoi udhëtimin, ia shkretoi familjen dhe e mori përgjithmonë, mirëpo, për një moment, në sytë e gjithë vendit, ndriçoi mbi Gerti Bogdanin, ashtu si jeta nuk kishte mundur ta bënte në 44 vitet e saj. Tani ceremonitë mbaruan. Do të kthehemi te e përditshmja jonë, ku mijëra të rinj si Gerti çojnë dëm potencialin e tyre në një shoqëri që nuk di çfarë të bëjë me ta. Të cilën ata vetë nuk gjejnë dot si ta ndihmojnë, si ta nxjerrin nga llumi i padrejtësisë dhe akoma më keq nga llumi i banalitetit./dritare.net