Nga Mero Baze
Në fillim u dogji karriget.
Djegia e karrigeve të tyre në Kuvend, ngjante me një seancë betimi me plot ngjyra spiritualizmi, si njerëzit që sakrifikojnë gjënë e tyre më të shtrenjtë për udhëheqësin e tyre. Meqë ai është majë penxheres dhe pret të shkojë në disa penxhere të reja, pas hapjes së çështjes së 21 Janarit, të gjithë ishin dakord t’i tregonin se ç’u duhen karriget e tyre pa atë.
Dhe i dogjën.
Praktikisht sot gjithë grupi parlamentar i PD është karrigedjegur.
Ata të gjithë në një zë dhe me të njëjtin përkushtim dhanë provën e parë të besnikërisë ndaj udhëheqësit të tyre, që ka në dorë karriget e reja për ata.
Në vitin 1997, kur ai u përball me revoltat popullore dhe dogji Shqipërinë, brenda ditës i dolën 15 ish- ministra dhe deputetë kundër dhe ai i revoltuar i quajti ata “karrigethyer”, për t’i etiketuar si njerëz që qanin për karriget e humbura.
Tani është në pozicion të kundërt. Për t’i vënë të gjithë në rresht, u dogji fillimisht karriget.
Pas djegies së karrigeve, gara e re është kush e kush të bëjë më shumë paralajmërime për dhunë për ditën e hënë. Dhe këtu janë të gjithë në provë.
Prej tre ditësh të gjithë flasin për skenarë dhune, ditën e hënë. Burra e gra njësoj.
Njëra thotë na ka ardhur pika e vlimit, tjetri thotë do imitojnë dhunën e Berlinit, njëri thotë në SHBA lejohet përmbysja e qeverisë me armë, tjetri thotë do organizojmë luftë guerile etj.
Bollëku i dhunës verbale para së hënës, kompenson mjaftueshëm faktin që të hënën nuk do të lejohet të flasin. Kanë folur para të hënës. I kanë thënë të gjitha, që nga armët, xhamat e thyera, flakët etj. Tani ngelet dhe t’i bëjnë.
Por nuk ka vend për panik. Më shumë se sa të dhunshëm, këta ngjanë si ata lacat e lagjes, që u thonë shokëve, “mbamëni se do ta vras”.
Të hënën nuk ndodh asgjë, pasi të hënën nuk ka garë. Gara është para të hënës dhe pas të hënës. Të hënën “ja kanë lënë në dorë popullit” dhe populli nuk do të bëhet deputet. Maksimumi do ketë zaptime dyersh për disa çaste apo ndonjë molotov mbi ndërtesa e do ikin me vrap.
Ky teatër do përsëritet derisa të mbyllet kjo historia e Berishës me gjyqin, sidomos tani që i kanë shtuar dhe 21 Janarin. Deri atëherë do ketë plot zhvillime. Mund të ketë gjeste dhune, kurthe për t’i tërhequr “trimat” e Flamurit në ndonjë gjest heroik, e pastaj kalvare gjyqesh dhe ndalime militantësh në komisariate, ku deputetët do thonë ne nuk kemi përgjegjësi se nuk mbajtëm fjalime. U ka ikur dhe Ed Halimi avokat në Dubai e s’ka kush t’i mbrojë më pa lekë.
E gjithë do përfundojë bashkë me Berishën.
Deri atëherë deputetët e tij janë realisht karrigedjegur dhe duhet të japin prova që meritojnë karrigen e re.
Nuk bëhet fjala për karrigen e re që mund t’u bëjë Spiropali në Kuvend, por për atë që duhet ta meritojnë si ushtarë të Sali Berishës.
Ajo kushton shumë, se ata duhet ta paguajnë me bërjen qesharak dhe lëpirjen e asaj që kanë pështyrë, dhe mbi të gjitha me bërjen qesharake edhe të konceptit të revolucionit, pasi ky i këtyre është i vetmi revolucion që nuk bëhet për të përmbysur të vjetrën e për të sjellë të renë, siç thotë Lenini, por për të mbajtur në politikë e për të rikthyer në pushtet pas 34 vitesh, një njeri që ka vrarë, ka vjedhur familjarisht, dhe është bërë milioner duke përdorur këtë ushtri skllevërish, që sa herë i duhen për t’i shërbyer, u djeg karriget dhe i vë në garë ta meritojnë përsëri. Si shërbëtorë të atij./tema.net