Nga Eduard Zaloshnja
Qysh kur u pagëzua me emrin PS e deri dje, kjo parti nuk e kishte arritur kuotën 50% në territorin e bashkisë Kukës në gara të mirëfillta elektorale, parlamentare apo lokale. Madje deri para dy vjetësh, PS-ja nuk e kishte arritur as kuotën 40% - në zgjedhjet parlamentare të prillit 2021, ajo mori vetëm 37.8% të votave në territorin e Bashkisë Kukës (shihni grafikun 1).
Më 14 maj të këtij viti, kandidati Gjici i PS-së (që doli i pari në garën kryebashkiake) iu afrua shumë kuotës 50%, por nuk e kapi dot atë vetëm për 0.3%, ngaqë i dyti dhe i treti morën më shumë se gjysmën e votave.
Më së fundi, dje kandidati Halilaj i PS-së arriti ta kalojë kufirin 50%. Madje ai kaloi edhe kufirin 60%, duke siguruar postin e kryebashkiakut me 63.7% të votave të vlefshme. Kjo përqindje e lartë e djeshme e kandidatit socialist mund të shpjegohet statistikisht me rritjen e numrit të votave për të, krahasuar me të 14 majit (pothuaj 1400 vota më shumë se të Gjicit mori Halilaj – shihni grafikun 2), dhe nga ana tjetër mund të shjegohet edhe me mospjesëmarjen e votuesve të Bashkimit për Fitore (plot 2160 kuksianë më pak votuan dje për kandidatin e BF, krahasuar me 14 majin).
Ndër tre këshjellat e djathta verilindore ku PS nuk kishte arritur dot në 32 vjet të kalonte kuotën 50%, Tropoja ra më 14 maj – Byberi i PS-së mori 51.2% të votave. Kukësi ra dje, ku Halilaj mori 63.7% të votave. Mbahet ende Hasi, ku Mulaj i PS-së mori më 14 maj vetëm 44.1% to votave, dhe ku votuan vetëm 7900 zgjedhës…/dritare.net