Na ndiqni edhe në

Opinione

Leksioni politik i Edi Ramës!

Leksioni politik i Edi Ramës!

Nga Ermal Peçi!

Leksion politik nga Edi Rama, ishte ajo që ndodhi të enjten në sallën e parlamentit, një leksion politik, i cili opozitës i mungon dhe këtë e thotë një djalë që prej 2013 nuk e përkrahur asnjëherë mënyrën e qeverisjes së tij. Një djalë, i cili nuk e ka parë kurrë Edi Ramën si nxënësin e Nolit dhe Konicës, por si një amalgamë figurash historike, herë si Noli me fjalim par execellente, herë si Konicë, me jetën plot femra e ironi therëse, herë si Zogist në lëvizje politike për pushtet dhe herë si Hamza, me miqtë e vet. Por Çesarit jepi çfarë i takon dhe kjo ditë ishte një leksion i mirëfilltë i Edi Ramës për çdo të ri që aspiron politikën dhe se çfarë fuqie ka fjala kur përdoret në mënyrën e duhur.

Ajo që ndodhi të enjten pretendohej se do të ishte një ditë e gjatë me debate nga të dyja palët, me diskutime për përmbytjet në Shkodër dhe pika më e debatueshme e ditës pritej të ishte projektligji për projektin e investimit strategjik “Marina & Jahtet e Durrësit”. Këto të gjitha ndodhën por ajo që nuk pritej ishte leksioni politik i Edi Ramës. Një leksion politik, i cili dha mesazhin në sallën e parlamentit dhe në media sociale, Facebook, Instagram, Tik Tok, se “Politikan lind dhe nuk bëhesh”.

Rama përdori fuqinë e tij të oratorisë dhe artikulimit për të çfokusuar komplet vëmendjen nga diskutimi. Rama përdori dy nga figurat që e djathta i ka harruar me vite dhe as nuk ju ka kushtuar asnjë rëndësi kur ka qenë në qeverisje. Përdori fjalët e Konicës dhe Mid’hat Frashërit, për të turpëruar një opozitë që sytë i ka vetëm nga Sali Berisha.

Shikonin njëri-tjetrin në sy, të heshtur, të mufatur, të zënë në grackë, nuk reagonin, shikonin rreth e rrotull mos i shpëtonte Berisha, por e kotë. Niveli i opozitës në tërësi, veço disa emra është një dramë opozitare pa produkt ideologjik të djathtë dhe pa vokacion politik. Furia e oratorisë së Edi Ramës i shtangu të gjithë sepse ai diskutim ftonte në debat vetëm personalitete të një kalibri të lartë politik për t'ju përgjigjur dhe jo si është bërë zakon tek opozita me përgjigje, e di ti kush jam unë !

Ti je hajdut ne jemi qelibar, kush q* për ty se s`ta kemi frikën dhe një sërë përgjigjesh të një niveli “intelektual” që gjithë shoqëria i ka zili, një gjuhë që nuk ka hije të përdoret as në kafenet e lagjes ose në “ Parlamentin e popullit” siç do të thoshte Balzaku. Sali Berisha është i vetmi person që mund t’i përgjigjej në nivel intelektual por mosha e tij dhe hallet që ka mbi supe nuk e lejojnë të jetë i fokusuar aty ku duhet, e kështu përgjigja ngeli tek Spaho i cili më shumë u ngatërrua me veten sesa iu përgjigj Ramës.

Rrotullonin sytë, por në parlament nuk u pa as Tomorr Alizoti njeriu që vjen nga një origjinë fisnike e familje antikomuniste, nuk ishte prezent as njeriu i bejteve, Gjekmarkaj, Flutra Açka zgjodhi postimin në facebook, as Agron Shehaj që financon botimet e Lumo Skëndos dhe që realisht ky është një kontribut shumë i madh për shoqërinë shqiptare nuk e mori fjalën dhe kështu askush nuk ju përgjigj.

Nuk ju përgjigjën nga frika, nga pasiguria apo nga mungesa e vetëbesimit se kishin përballë një njeri politik që kur e merr seriozisht luftën nuk të lë as nam e as nishan. Për ironi të fatit të PD-së dhe e vetmja grua, e cila e zotëron vokacionin politik, këtë armë të fuqishme, zgjodhi të largohej nga parlamenti, e me shumë mundësi nga nostalgjia e asaj salle Grida Duma ju përgjigj Edi Ramës me fjalët e Konicës nga Top Channel.

E gjithë kjo histori ndodhi atë ditë që duhej folur për Portin e Durrësit, por që Durrësi nuk pati rëndësi, rëndësi kishte vetëm leksioni politik i Edi Ramës! “Politikan lind nuk bëhesh”. E për sa kohë Partia Demokratike nuk e lejon garën dhe ujin të rrjedhë për t’u vetëpastruar, për sa kohë emërimet nuk do të vendosen nga kush e ka kërbishten më të përulur dhe gjuhën më të gjatë, ku mosmirënjohja ndaj kontributit të vërtetë të demokratëve ka zënë rrënjë të thella, atëhere sa herë kur loja do të bëhet më e fortë dhe kur do të duhen të zbresim në fushë më të fortët, e vetmja mundësi do të jetë leksioni politik i Edi Ramës. Ta dëgjojnë, ta lexojnë, ta mësojnë se qenia politike e njeriut nuk dhurohet, nuk blihet, nuk shitet, por ajo është frymë që buron nga shpirti./dritare.net