Nga Ermal Peçi
Prej disa muajsh në tryezat mediatike-politike diskutohej sesi amerikanët mund të kenë ndryshuar mendim për non gratën. Kjo fabul përhapej nga deputetë, të cilët kishin hedhur asfaltin e gënjeshtrave në rrugën ku non grata ishte e përcaktuar. Një rrugë që ju interesonte atyre për lëvizjet e tyre pragmatiste, por jo demokratëve dhe Partisë Demokratike. Me petkun se do të mundin “regjimin” po të bëheshin bashkë dhe se nuk kanë nevojë për ndërkombëtarët vazhduan agjendën e tyre të takimeve. Kukësi ishte ndalesa e radhës, një bashki, të cilën Rithemelimi i Berishës e humbi më 14 maj, por tashmë po rihyjnë përsëri në garë për të parë rezultatin a do të përsëritet apo do të jetë një fotografi e 14 majit që përsëritet. Gjatë ditës së djeshme në mbledhjen e kryetarëve të kuvendit, Lindita Nikolla njohu Gazment Bardhin si kreun e grupit parlamentar duke mos njohur Flutra Açkën, i cili ishte emri i komanduar nga Basha si pasojë e statutit që u miratua në Këshillin Kombëtar të PD si pasojë e gjendjes së emergjencës që po kalon PD.
Gjatë ditës së sotme kur pritej që i gjithë diskutimi i palëve të fokusohej tek njoha e Bardhit si kreu i grupit parlamentar, kambanat e ndërkombëtarëve ranë si një mesazh për të zgjuar qytetarët nga aureola e gënjeshtrës. Dy mesazhe të forta erdhën përsëri nga SHBA dhe BE për deputetët e opozitës, të cilët zgjedhin të bashkëpunojnë me non gratën, por jo vetëm kaq, BE përçoi edhe mesazhin e fortë që nuk ka asnjë bashkëpunim me deputetët e opozitës për Avokatin e Popullit, duke përgënjeshtruar deklaratën e Bardhit. E gjithë kjo kakofoni mediatike për të shtrembëruar të vërtetën e asaj që po ndodh brenda në PD, duket se strategjia e ndërkombëtarëve është tek konsistenca e qëndrimit të tyre, e cila lidhet ngushtësisht me non gratën. Kambanat po bien, po vijnë e po bien më fort, pyetja është: A po e dëgjojnë deputetët që mbështesin Berishën, apo kanë mbyllur veshët për të besuar se po luftojnë ‘regjimin’?!/dritare.net