Nga Auron Tare
Mos ndoshta ideja e këtij Muzeumi në Tepelenë dedikuar një kampi internimi shumë jetëshkurtër bëhet me qëllim në një prej zonave më aktive të rezistencës anti-fashiste si një lloj revanshi historik? E vërteta historike nuk duhet të varet nga pazarxhinjtë e granteve të huaja por nga serioziteti i një shteti, i cili kërkon të ndriçojë dhe të nxjerrë mësime nga e kaluara…
Debati për një Muze në Tepelenë kushtuar periudhës se diktaturës ka disa vite që është hapur. Fillimisht nga Ministrja Kumbaro (deputete e zonës) e cila, mbështeti me fonde një projekt të iniciuar nga një numër personazhesh nga Tirana, të cilët përveç specializimit në marrjen e granteve të huaja për çdo kauzë të hedhur në treg, nuk është se kishin ndonjë lidhje me historinë e “Kampit të Tepelenës”.
Me një vrull dhe zhurmë qe krijohet ne përgjithësi për të impresionuar donatorët, grupi i iniciatorëve i cili solli në Tepelenë edhe një kamion “Zis” të komunizmit (në kohën e transferimit të familjeve të internuara nuk kishin ardhur ende “Zis”- ët sovjetik, lëvizjet bëheshin kryesisht me kamionë “Ford” apo “Shevrolet” amerikanë të sjella nga ndihmat e “UNRRAS” ) premtoi plot buje se do te ngrinte një Muze si simbol te persekutimit komunist.
Por përveç disa leksioneve në fushën e ish-Komandes se Divizionit Italian “Modena” dhe mbjelljes se disa Qiparisëve për sytë e medias, nuk u bë me asgjë. Qiparisët e braktisur janë dëshmia e vetme e fondeve të marra dhe që nga mbjellja e tyre e deri më tani, grupi i iniciatorëve që harxhuan nja 250 mijë euro e kusur nuk u ndien më për “vuajtjet e ish të internuarve. Qiparisët nuk i vadit më njeri dhe “Muzeu” i shpallur me aq bujë nuk dihet se ku ndodhet.
Rastësisht kam qenë pjesëtar i këtij debati publik kur kjo ide u hodh në media dhe si detyrim për debatin e dikurshëm po i shkruaj këto rreshta.
Që shoqëria shqiptare ka bërë pak për të kujtuar dhe mbrojtur trashëgiminë materiale të kohës së diktaturës si një mënyrë e rëndësishme e memories historike, kjo është e qartë. Brezat që vijnë gjithnjë e me pak po shohin gjurmët e një periudhe diktature ekstreme. Që shoqëria shqiptare nuk ka treguar asnjë shenjë të pendesës për atë që ndodhi 40 e ca vjet te diktaturës edhe kjo është më se e dukshme.
Por shteti shqiptar ka detyrën historike për të mbrojtur, ruajtur dhe shpjeguar në mos të gjitha, pjesën me të rëndësishme të gjurmëve të diktaturës për brezat që do të vinë. Si një mënyrë për të mos lejuar më historinë të ripërsëritet dhe diktatoret të rikrijohen.
Por le t’i kthehemi idesë se Ministrisë se Kulturës për një Muzeum në ish-kapanonet e ushtrisë italiane ne Tepelene.
Përse në Tepelenë? Ne fakt Shqipëria ka një seri kampesh dhe burgjesh të tmerrshme të cilat mund të ishin Muzeume të memories kolektive mbi Diktaturën. Spaçi për vete historinë që ka dhe pozicionin natyror do te ishte nje Muze i jashtëzakonshëm, por edhe një mundësi e madhe turistike për banorët e zonës.
Përpara disa viteve së bashku me Artan Shkrelin e vizituan me idenë dhe propozimin për një Muzeum mbi diktaturën komuniste qe humbi sirtarëve. Por përveç Spaçit, janë një sërë kampesh te tjera te cilat ishin ngritur dhe funksionuan për të burgosurit politik.
I ashtu-quajturi Kamp i Tepelenës ne fakt ishte një kazermë ushtarake e ndërtuar nga Italianet përgjatë Luftës Italo – Greke. Pas çlirimit te vendit, ky garnizon u përdor për të internuar një numër familjesh dhe personash të cilët kishin lidhje me ata që në terminologjinë komuniste quheshin si “Diversante” një emër që përmblidhte një numër kundërshtaresh të regjimit komunist, qofshin ata realisht njerëz që e kundërshtuan me armë në dorë komunizmin apo ata që hidheshin në Shqipëri nga Shërbimet inteligjente Jugosllave, Italiane apo anglo amerikane.
Kushtet në ketë kamp sigurisht ishin të vështira për një vend qe sapo kishte dalë nga Lufta. Uria, sëmundjet dhe jetesa në një vend ekstremisht të varfër si Tepelena e asaj kohe sollën vdekjen e një numri të internuarish ku më të dhimbshmet ishin ato te fëmijëve.
Por a është ky Kamp i improvizuar internimi në Tepelene simboli i Diktaturës Komuniste? Simboli i te “Keqes Shqiptare”? Perse jo Spaçi? Maliqi? Savra? Elbasani?
Sot Ministria e Kulturës dhe dje personat qe e shpallen ketë ide nuk kane dhenë ende ndonjë studim të thelluar mbi këtë Kamp dhe kontekstin lokal për kohen. Nëse Kampi jetonte në kushte urie, a ishte popullata e pas luftës në zonën e Tepelenës ne kushte mbi jetese, sëmundjesh dhe vështirësish?
A ka ndokush nga Ministria e Kulturës raportet e UNRRAS te cilat flasin për një varfëri ekstreme të Jugut Shqiptar ku popullata e djegur dhe e dëbuar nga Lufta disa vjeçare jetonte në mjerim? A ka ndonjë tq dhëne statitistikore për vdekjen e fëmijëve ne zonën e Tepelenës në atë kohë nga tifo e morrit, uria apo sëmundje te ndryshme?
Këto dhe të dhëna te tjera mund të na jepnin një panoramë më të qartë për të kuptuar kontekstin lokal dhe faktin se popullata e kësaj zone ishte po ashtu ne kushte te mjera por nuk ishte një popullatë armiqësore ndaj të internuarve “veriore”. (ide kjo e përçuar nga mbjellësit e Qipariseve)
Mos ndoshta ideja e këtij Muzeumi në Tepelene dedikuar një kampi internimi shumë jetëshkurtër bëhet me qellim në një prej zonave me aktive te rezistencës anti fashiste si një lloj revanshi historik?
Për të ngritur një “Muze” të Memories historike kaq të rëndësishëm për brezat e ardhshëm, nuk është e nevojshme vetëm dëshira e mirë por në radhë të parë e vërteta historike.
Një e vërtetë që nuk duhet të varet nga pazarexhinjte e granteve te huaja por nga serioziteti i një Shteti i cili kërkon të ndriçojë dhe nxjerrë mësime nga e kaluara. Përndryshe edhe kjo përpjekje në dukje pozitive do të përfundojë si realiteti në Gazermat Italiane të Tepelenës ku Qiparisët e mbjellë nuk i vadit më askush./dita