Pse Orbani i djathtë po i hap negociatat për të majtin Edi Rama?
Dritare.net
Nga Ylli Pata
Firmosja zyrtare e caktuar për më 15 tetor e Shqipërisë me BE-në për hyrjen zyrtarisht me një këmbë në BE, është meritë politike e Presidencës hungareze.
Qeveria e Viktor Orban, e cila është një nga më të polemizuarat jo në kontinent por edhe më gjerë, ka bërë atë që realisht nuk e ka bërë asnjë vend europian, kur drejtonte semestrin e kryesimit të presidencës europiane.
Në fakt, për të qenë totalisht të vërtetë, drita jeshile u hap nga kroatët, të cilët në 2020 kur kishin Presidencën lobuan vendimin politik për hapjen e negociatave me Shqipërinë. Por si Kroacia, si Hungaria, dy vende anëtare të BE-së, përfaqësojnë historikisht një lidhje të vjetër dhe positive me shqiptarët. Një lidhje që nis nga Huniadi që emrin e kishte Gjergj e me Gjergjin tonë Kastriotin ishte një aleat besnik, morën përsipër vetëm të ndalonin furinë otomane të Muratit të II e më pas të të birit të tij, dinakut Mehmet.
Këto “lojra” gjeopolitike ndërmjet Europës së re të shekullit të 21 janë realisht revolucioni politik i kohës së sotme. Ku edhe pse me një fuqi specifike më të vogël, vende si Hungaria, Kroacia, Slowenia, por edhe Shqipëria kanë peshën e tyre në konstelacionin e Perëndimit.
Europa sot, nuk është ajo e shekullit të XIX, të cilën e kanë në kokë realisht shumë shtete të zhvilluara kur në presidencën e tyre e shtynin në axhendë rastin “Albania”.
Këtë nuk e ka bërë Hungaria, e cila me një nuhatje të fortë strategjike i ka marrë BE-së në 4 vitet e fundit komisionin e Zgjerimit. Komision që u kthye në një garë me “binjaken” e saj Austrinë, që e kishte pasur para Budapestit këtë post.
Oliver Varhelyi, ka qenë komisioneri më afër Ballkanit se asnjë më parë, e ka qenë jo vetëm me fjalë, por ka firmosur miliarda euro. Jemi në një epokë tjetër krahasuar me kohën, kur qeveria e Tiranës në 2009, thjesht për të protokolluar një kërkesë për statusin kandidat në kohën e presidencës çeke të BE, i jepte një kompanie si CeZ fuqinë më të madhe energjetike në vend siç është OSHE. Që rezultoi një bllof. E për t marrë ndonjë fjalë të mirë nga Franca për presidencën bleu 5 helikopterë ushtarakë nga AIRBUS, kur realisht italianët e Augusta-s por edhe amerikanët jepnin ofërtë më të mirë.
Por e gjithë kjo lojë e fshehur nën petkun e “lobimit” për të hyrë në BE kishte nën tavolinë manovrën e frikshme CEZ, CEZ-DIA, që rezultoi falementare për shtetin e për qytetarët.
Sot Hungaria është një shtet që natyrisht ka interesa në Ballkan, natyisht që është një nga investitorët kryesorë në Ballkan. Por është edhe vendi që e njeh jo me dhëmbë e dhëmballë, por që nga lindja këtë rajon. Hartat tona i ka bërë një hungarez i madh Franc Nopça, të cilin në fuqi shkencore na e solli kolegu ynë i madh Fatos Baxhaku. Por nuk harrohet Mbrëresha Geraldinë që Edi Rama e përmend shpesh me logjikën që godet më shumë në publik. Edhe pse është një fakt i sërës së parë.
Hungaria e Orbanit që është sot, pasi nesër mund të jetë edhe e ndonjë udhëheqësi tjetër, ka vendosur që të shtrijë investimet e saj në sektorët strategjikë të Ballkanit, duke nisur nga telekomunikacioni apo bankat. Nga Serbia në Maqedoni, nga Kroacia në Shqipëri, Budapesti është realisht më i fortë se Turqia në sektorë dytësorë të ekonomisë.
Në vija të trasha jemi në një aleancë të rikthyer të tandemit të vjetër mesjetar, edhe pse nuk ka paragon, por ngjashmëri po. E Hungaria e Viktor Orbanit, që shumë e quajnë djall e mjaft engjëll, po i bëhet avokat Ballkanit. Edhe pse kjo ka shumë hije përveç dritës, pasi mbron personazhe të errëta si Gruevski, ka aleancë me Putinin dhe miqësi me Kinën e Xi-së.
Po a nuk i ka bërë të njëjtat gjëra “Enveri Ynë” që mori vetëm armë, predha e specialist torturash nga Stalni?
Orban është sot një idol i të gjithë lëvizjeve të djathta në Europë e më gjerë. Madje Donald Trump e ka referencë. Para pak ditësh Orban ishte në Pontida, në manifestimin religjioz të Lega-s së Salvinit. Meloni dihet se e ka xhan së bashku me Le Pen. Dy ditë më parë, rban ju kundërvu sot Merkelit numër 2 të europës, bjondes që drejton BE, Ursula Von der Leyen, duke u sjellë si rivali i saj.
Pra jemi në një ekuilibër forcsh ku Hungaria, e cila ka një peshë specifike në NNATO, BE dhe më gjerë, është një lloj kujdestare e Ballkanit. Dhe ka marrë përsipër që të jetë edhe investiture e rëndësishme.
E mbani mend kur grekët kontrollonin të gjithë kompanitë e telekomunikaconit në Ballkan? Përse u shkrinë si sheqeri? Sepse siç doli nuk ishin reale!/dritare.net