Na ndiqni edhe në

Opinione

Rama e di mirë që nuk ka opozitë!

Rama e di mirë që nuk ka opozitë!

Nga Spartak Ngjela

Kohën historike të një shteti të pavarur e bëjnë kryeministrat e mëdhenj, presidentët shtetarë, por edhe mbretërit e ngritur dhe të ndritur.

Po në Shqipërinë e sotme, çfarë po ndodh?

I. Sot në Shqipëri nuk ka zhvillim kombëtar. Në Shqipëri sot, nuk ka fare prodhim industrial. Shqiptarët po i mban në jetën materiale vetëm prodhimi bujqësor. Mirë ose keq, pas Mehmet Shehut që drejtoi investimin në mbi 450 uzina e fabrika, askush tjetër nga kryeministrat që erdhën pas tij, nuk bëri dot gjë, sepse, dita ditës po kuptohet se nuk kanë qenë me Shqipërinë.

E ç'rëndësi ka fakti historik se këto investime në industri në Shqipëri i ka bërë një shtet diktatorial, kur këta që po na lëvdohen në 30 vite se janë demokratë, kanë abuzuar me korrupsion mbi shtetin dhe shqiptarët!

Përkundrazi, Sali Berisha me orientim antishqiptar, shkatërroi në Shqipëri 500 uzina e fabrika. Dhe ka gojë e po na flet edhe nga burgu. (!) Dhe, ishte deputeti në parlamentin e Serbisë që na i tha këtë fakt botërisht kur u mbur teksa tha: "Ne, me 40 milionë dollarë kemi shkatërruar 500 uzina e fabrika në Shqipëri në vitet 1992-,1996" .

Sigurisht, kjo ka qenë një histori e vijueshme e antishqiptarizmimit. Dhe është një turp e një krim antikombëtar...

Por... II. Sot koha shqiptare po ecën në një drejtim të ri. Por një kryeministër të iluminuar, Shqipëria ende nuk e ka. Kryeministri është profesion, nuk është post. Dhe sot, gjendja e zhvillimit shqiptar në Shqipëri është e ngrirë. Jemi në një aleancë të fuqishme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por...

Askush nuk po di të bëjë gjë. Shqipërinë po e mban sot puna e paorganizuar e shqiptarëve dhe remitancat e emigracionit të shumtë shqiptar në Perëndim.

Dhe këto po i drejton një qeveri e mpirë në mendje dhe me asnjë ide për zhvillim.Por, përse po i duhet të rrijë në postin e kryeministër një piktor që nuk kupton dot asgjë nga zhvillimi kombëtar!

Dhe Rama... e ka një mendje-lehtësinë e tij kur na thotë se ai ka sjellë një ngritje tërësore të zhvillimit kombëtar, apo këtë ende e ka si një ndjenjë antishqiptare?

E vërteta është se pushtetin e kryeministrit, Rama, nuk e ka ndërtuar me aftësinë e tij drejtuese, por e mbështet tek ekzistenca e Sali Berishës në opozitën shqiptare. Bezdia shqiptare kundër Berishës, po e mban Ramën në pushtet, dhe tani kuptohet qartë që Rama, për interesin e tij, i ndihmon këtij momenti antizhvillim në Shqipëri, se me Berishën përballë, Rama e di mirë që nuk ka opozitë.

III. Kurse Shqiptaria sot ka nevojë për një levizje ekonomike pankombëtare, sepse janë dy shtete shqiptarësh në Ballkan. Por asgjë. Duket thjesht se nuk janë dy shtete shqiptarësh, por sikur janë dy fise armiqësore, pavarësisht se të dy këta fise janë fise shqiptarësh.

E keni parë konfliktin banal Rama - Kurti?

Një turp antikombëtar është ky. Por, pse ndodh: është mendjelehtësi e kryeministrave shqiptarë kjo, apo është kërkesë e qarqeve ndërkombëtare antishqiptare?

E pra, pse po ndodh?

E çfarë rëndësie ka pseja e këtij fakti?... e rëndësishme është të theksojmë që, ky fakt, është një akt historik i antishqiptarisë.

E kuptoni ku jemi?

Ku po shkojmë?

Deri më tani: askund!/ dritare.net