Na ndiqni edhe në

Opinione

Sot Enea vdiq vetëm sepse jetonte!

Sot Enea vdiq vetëm sepse jetonte!

Nga Neda Balluku

Në foton e parë, një ilustrim i si mendohet te ketë qenë imazhi i Eneas së Trojës, i biri i Afërditës, perëndeshës së bukurisë. Ai që në një farë mënyre vazhdoi trashëgiminë e trojanëve.

Në foton e dytë, një Enea tjetër. Shqiptar. Një Enea i bukur si drita, sikur të ndante nënën, perëndeshën e bukurisë, me Enean e parë.

Enea Thomaraj, ka ndërruar jetë sot. Nuk pati fatin e të parit. Mbeti përjetë 29 vjeç. Pa patur mundësinë të shkonte në muaj mjalti. As të bëhej baba. As t'i zbardhej mjekrra. As të takonte Zotin kur duhej.

Eneas i morën jetën, kot. Pa kuptim. Sepse siç grekët hynë pabesisht në Trojë për ta pushtuar, disa kallëpë tritoli iu vunë Eneas në sheshpushimin e shtëpisë, pallatit të tij, me qëllim tjetër kënd, dhe e çuan tek Perëndia pa radhë. Ashtu të bukur siç ishte dhe sidomos, të pafajshëm.

Asgjë tjetër sot në Shqipëri nuk ka rëndësi. Çfarëdo të ndodhë, thuhet, bëhet sot në Shqipëri, nuk ka rëndësi. Sepse me ikjen e Eneas ka ndodhur gjithçka. Sot Enea Thomaraj, 29 vjeç, vdiq. Vetëm sepse jetonte./Marrë nga Instagrami i autores