
Berisha sqaron militantët pse do mbyllë SPAK!
Dritare.net
Demokratë dhe demokrate të tërbuem,
Dje bëra një premtim se sapo të vijmë në pushtet do mbyll SPAK-un.
Shumë prej jush i habiti kjo deklaratë e imja, pasi dihet që ne jemi parti e vlerave. Dihet që ne jemi parti e pastër si qelibari dhe akuzat për korrupsion më shumë ia nxjerrim njëri-tjetrit në momente inati sesa kap gjë SPAK-u.
Nuk kam asnjë inat personal me SPAK-un, pasi deri tani jam rehat këtu në pullaz, ku pas kaq kohësh po bëjmë muhabet me Lilin, takoj kalamajtë dhe shikoj madje edhe maçokët që ngrohen ne diell nëpër çati ose bëjnë sex. Ooooo, kanë stil të paparë, me britma, tamam si unë nëpër mitingje.
Por SPAK-u or zotërinj po na le pa kundërshtar politik. Ne të gjithë jemi dëshmitarë sesi Rama është kujdesur që opozita mos t’i mungojë asgjë. Rrogat na i rriti, leje ndërtimi si t’i duam e ku të duam, mitingje kemi bërë sa kemi pasur qejf, tjetër punë se nuk na del njeri. Ka pasur ca ekzagjerime si p.sh sorollatjet që po i bën vulës, por ky më shumë se faji i tij është faji i besëprerit, Bashës. Ky madje ka thënë që të hetohet 21 janari se këta qenkan vrarë për Ilir Metën. Ky zotëria harron se ata u vranë ngaqë Rama nuk iu kishte shpjeguar rregulloren e gardhit demonstruesve. Por edhe nëse nuk e kishte shpjeguar Rama, lind pyetja se çfarë kishte bërë ky zotëria që ishte ministër i brendshëm që t’jua shpjegonte demonstruesve?
Por që të kthehemi tek çështja kryesore, ju premtoj se sapo të vij në pushtet do ta shkrij SPAK. SPAK ka terrorizuar një luftëtar të shquar të demokracisë si Ben Ahmetaj duke e bërë të marrë rrugët e botës. Imagjinoni që tani ky zotëria jep eksperiencë nëpër botë, duke privuar kështu Shqipërinë nga një gjeni si ky. Shkrirja e SPAK do të ndihmojë në uljen e tensioneve politike por mbi të gjitha që vëllezërit tanë socialistë të rrinë të qetë. Fundja ata nuk bënë asgjë më shumë sesa zhvilluan në mënyrë krijuese koncesionet ose siç i njeh populli, PPP-të që shpikëm me. Ata nuk bënë asgjë për të rregulluar punën e pronave dhe ashtu si ne, i lanë katundarët me Amtp në dorë që të fshijnë menderen. Dmth tokat nuk i morën as pronarët e as katundarët, kështu që dalim ne me pronat që na ka lënë baba në Pish Porro apo Himarë. Tani del detyra që të bëjmë votat por mendoj që kjo nuk është punë e vështirë. Kështu që SPAK i ka orët e numëruara./dritare.net

















