Na ndiqni edhe në

Ora e Gallatës

Berisha zbulon detajet e mosbindjes civile

Berisha zbulon detajet e mosbindjes civile

Në mbledhjen e kryesisë së PD-së, Berisha ka paraqitur disa nga pikat e mosbindjes civile të cilat u diskutuan dhe u ra në parim dakord. Ja cilat janë ato:

Berisha: Zotërinj, unë propozoj që nga e hëna të fillojë mosbindja civile. Si pikë të parë mendoj të fillojmë me bojkotin e furrave të bukës.

Zë nga salla: Dakord jam doktor, po puna është që këta tanët po nuku hëngrën dy pllaka bukë, nuk vijnë dot në demonstratë. Se ne bukën kemi bazë doktor.

Berisha: Le të hanë patate Kukësi. Me këtë rast ndihmojmë edhe votuesit tanë të qarkut të Kukësit. Së dyti, të bojkotojmë dentistët.

Zë nga salla: Këtë e kemi të sigurt se po bëhen 12 vjet dhe u kanë rënë të gjithë dhëmbët. Nuk kanë nevojë për dentist. Për proteza le të presin zgjedhjet. Kështu edhe motivohen.

Berisha: Bukur. Nga gratë demokrate duhen bojkotuar parukeritë.

Zë nga salla: Shumë dakot doktor. Kështu i përdorim për të trembur policinë. Vetëm se puna është që do trembemi edhe ne natën, por do ta përballojmë.

Berisha: Do bojkotojmë klubet dhe kafenetë dhe Edvin Rama nuk ka ku merr tatimet.

Zë nga salla: Doktor, nuk pret njeri fatura në Kamëz dhe Bathore. Dhe nuk i ndalojmë dot burrat të lozin bilardo.

Berisha: E drejtë. I përjashtojmë kafenetë nga bojkoti. Ça të bojkotojmë tjetër? Jepni ndonjë mendim se nuk do mendoj vetëm unë.

Zë nga salla: Doktor, po të kishim mend, nuk ishim këtu me ty.

Berisha: Edhe kjo është e drejtë. Të bllokojmë rrugët. Aleati ynë i Partisë se Lirisë na ka premtuar mbështetje nga anëtarët e tij të Brrakës dhe Bregut të Lumit të cilët e kanë specialitet qëndrimin në kryqëzime rrugësh

Zë nga salla: Doktor, me aq sa vijnë, ne mezi bllokojmë rrugën te shtëpia jote.

Berisha: Atëherë vazhdojmë me djegie gomash.

Zë nga salla: Ku, te rrugica jote?

Berisha: Jo mor idiot se tymi vjen tek unë. Tek oborri i Kuvendit. Sot jemi më të fortë se kurrë./dritare.net