Na ndiqni edhe në

Ora e Gallatës

Cilat janë faktet që Berisha fsheh për McGonigal 

Cilat janë faktet që Berisha fsheh për McGonigal 


Berisha: Ilir si të kam? Na pa Zoti Ilir, u zbulue lidhja e Ramës me Vuqiqin. Tani mori fund. Po po, mori fund. S’muj me ma marr mendja se do vepronin kaq hapur.

Meta: Për çfarë e ke fjalën doktor?

Berisha: Me bandën në Kosovë. Ai sapo mori vesh që do mbyllej McGonigali, i telefonoi Vuqiqit dhe i tha: O pobratin, ban diqka se mbarova krejt.

Meta: Mirë të ka shkuar mendja doktor, kështu do të jetë.

Berisha: Dhe Vuqiqi çoi Rankoviqin….

Meta: Radojçiçin doktor….

Berisha: Pak rëndësi ka, ata janë bijtë e Mugoshës të gjithë. Kështu pra Vuqiqi nisi Radoqiqin dhe i tha: bëj ndonjë sherr aty se e kam ngushtë dostin tim Ramën. Dhe ti i di si janë këta serbët, janë burra të fjalës. Ore edhe gratë i kanë të fjalës. Më kujtohet vjehrra ime, edhe ajo nuk dilte fjalët.

Meta: Doktor, jemi që jemi, i rrasim Vuçiçit, sikur këtij ia kërkoi Rama që të nxirrnin Lulin nga parlamenti dhe Luli na kërcënoi ne dhe na nxori dhe nuk na la të futeshim as në zgjedhjet lokale?

Berisha: Kam frikë se nuk e ha njeri këtë, po na plasi ne. Kush ta hajë, le ta hajë. Këta të mitë edhe e besojnë po e thashë unë.

Meta: Po le ta themi doktor, sikur McGonigali është e vërtetë. Të shtyjmë kohën duam.

Berisha: Mirë e ke. Këtë thuaje ti.

Meta: Mbaroi ajo punë. Po sikur t’i ngecim McGonigalit edhe humbjen e zgjedhjeve në 2021-shin? Kam informacion se Neza i kishte thënë McGonigalit që Rama duhet me fitu zgjedhjet, Gonia i kishte thënë Bajdenit, ky i fundit kishte qenë dakord dhe i tha Ramës t’i vidhte zgjedhjet.

Berisha: Shkëlqyshëm Ilir, kështu ka qenë, fix.

Meta: Doktor, po sikur t’i themi që edhe atë xhirimin e Dritan Priftit e kishte bërë McGonigali?

Berisha: E themi Ilir, pse jo. Po sikur ti themi që edhe rebelimin e ‘97-ës e bëri ai?

Meta: Avash doktor se atëherë McGonigali ka qenë pa hyrë në FBI.

Berisha: Po këta po hëngrën që të ka regjistruar ty, pse mos ta hanë që ka bërë edhe firmat piramidale?

Meta: Ok doktor, po kush do t’i thotë?

Berisha: Ti, se ke kohë pa folur

Meta: Dakord doktor, se kur të dëgjoj ty që bën deklarata, them që këto të miat janë karamele. Hajde tung doktor!/dritare.net