
Letër e gazetarëve drejtuar SPAK, për Berishën!
Dritare.net
Të nderuar zotërinj të SPAK,
Ne që po ju shkruajmë jemi një grup gazetarësh të cilët po ju paraqesim një shqetësim të madh të kohëve të fundit.
Arrestimi me qëndrim në shtëpi i Sali Berishës ka sjellë një problematikë të madhe në profesionin tonë. Mbajtja mbyllur e tij ka sjellë mungesë lajmesh katastrofike. Doktori po përpiqet që të japë më të mirën e vet, por izolimi dhe sherret e vazhdueshme që presupozohet të ketë me bashkëshorten e cila e ka 24 orë në shtatë ditë të javës nëpër këmbë, kanë ndikuar në qartësinë e tij. Rasti i fundit ishte kur ngatërroi Agron Dukën e vezëve me Duçkallarin e gazit.
Nëse nuk ndërhyhet nga ana juaj, fenomene të tilla ka mundësi të përsëriten. Madje mund të rëndohen duke dhënë urdhra për heronj demokracie, pasi, që nga rastet e të droguarve apo shpërndarësve të rënë në përpjekje me policinë, nuk kemi më heronj të tillë. Ka përpjekje që të bëjë Belerin por ky i fundit deri tek burgu pranon.
Mbajtja e Berishës në shtëpi ka shkaktuar edhe një rënie të emisioneve humoristike të cilat po i konkurron doktori nga ballkoni. Kjo mund të sjellë një rritje të papunësisë ose edhe më keq, largimin e tyre nga vendi.
Si gazetarë të vjetër të politikës ne shikojmë se mbajtja e doktorit në arrest shtëpie është një kërcënim i madh i profesionit tonë pasi po biem në përsëritje dhe për më tepër publikut nuk i kanë darkat lezet. Kjo duket që është një problem edhe për pushtetin i cili në mungesë të Berishës i duhet të japë shpjegime dhe të merret me punë. Ne e dimë që do të vijë një ditë kur do të na duhet të shkruajmë për problemet reale që ka vendi, por ju lutemi mos na e prishni rehatin e këtyre 30 viteve që merremi me Berishën.
Ndaj zotërinj prokurorë është momenti që t’i ktheni popullit liderin e vet, militantëve t’i ktheni udhëheqësin dhe neve gazetarëve të na ktheni muzën e përditshme. Do kemi kohë të merremi me të tjerë por na lini ta shijojmë Berishën sa e kemi në mes tonë pa vajtur akoma që të bëjë lëmsh botën përtej./dritare.net

















