
Të burgosurit i shkruajnë letër Ramës dhe kërcënojnë me rebelim!
Dritare.net
I nderuar Zoti Rama,
Ne që po ju shkruajmë jemi një grup të burgosurish për vepra të ndryshme penale. Në fillim pati debate që të përjashtonim nga firmatarët hajdutët e shtëpive, hajdutët e xhepave dhe ata që janë për vrasje, por në fund fitoi argumenti i tyre. Hajdutët thanë se aq sa kemi vjedhur të gjithë bashkë nuk barazohemi as me një drejtor drejtorie. Imagjinoni sa mund t’i bëjmë ne duke vjedhur shtëpitë, mallrat e të cilave pastaj i shesim me çerek çmimi, me vetëm atë që ia gjetën 500 mijë euro te tubi i sobës? Pa llogaritur pastaj që kur i vjedhim duhet të mbajmë në shpinë për qindra metra lavatriçe dhe frigoriferë, pasi televizorët shyqyr Zotit, këto LED janë të lehtë.
Po ashtu të dënuarit për vrasje thanë që ne kemi vrarë nga një nga halli, dhe jo për qejf në bulevard.
Kështu që mos na paragjykoni.
Që këndej rrjedh edhe kërkesa jonë që politikanët dhe zyrtarët e burgosur të rrinë bashkë me ne dhe jo në seksione të veçanta. Kështu do kemi mundësi të marrim leksione sesi të vjedhim e vrasim dhe të dalim të pafajshëm ose me dënimin punë në komunitet apo maksimumi me 1-2 vite burg. Por jo kështu, se po na ikën rinia kot. Edhe zyrtarët do kenë mundësi të mësojnë nga ne sesi të fshehin paratë. Jo më kot thonë që hajduti i zoti është ai që di të fshehë, jo ai që di të vjedhë. Ja p.sh, ka lezet Ben Tigri, një shembull që duhet marrë eksperiencë pasi e rruajti buxhetin e shtetit dhe tani kërkon azil në Zvicër si i persekutuar. Po të persekutuar jemi ne or zotëri.
Ju lutemi merreni parasysh kërkesën tonë se vdiqëm duke u kacavjerrë nëpër mure, penxhere dhe ulluqe. Në të kundërt do ikim në emigracion dhe kështu vendi do mbetet pa profesionistë të kualifikuar si ne. Atëherë do jetë tamam fjala që keni thënë se “punë ka, por nuk ka profesionistë”. D.m.th deri në momentin që do dalin nga burgu këta zyrtarët e do na lenë pa punë edhe ne.
Lutemi merreni parasysh kërkesën tonë.
Me respekt,
Burgu 313/dritare.net

















