Na ndiqni edhe në

Ora e Gallatës

Trondit Berisha: Ja si flas me Trampin!

Trondit Berisha: Ja si flas me Trampin!

Pas votimit në Kuvend për Bordin e Paqes, Berisha mblodhi grupin kuvendor dhe sqaroi arsyet pse vota e tyre ishte pro dhe çfarë fshihet pas saj. Ja çfarë tha ai:

Sot zotërinj kemi arritur një fitore historike. Me votat tona Rama shkoi me këmbët e veta në burg. Po or zotërinj po. Do thoni ju, si, qysh, tek? Nuk ia u kam thënë më parë por ka ardhur dita ta themi: Po, unë kam marrëdhënie shumë sekrete me Shtëpinë e Bardhë.

Po po. Flas vazhdimisht me Trampin, si ka fjet, si është me prostatën, a ka probleme me kapsllëkun. Madje i kam dhënë edhe këshilla. I kam thënë të hajë fara kia. Qenkan derman, më tha, po dal jashtë çdo ditë. Ai ka qejf të bëjë edhe muhabete femrash por aty nuk ia zgjas.

Më ka qarë hallin e Groenlandës. I kam thënë që nëse nuk do të biesh në sy, të sjell unë grupin e 8 janarit kur sulmuam selinë e PD-së. Faleminders më tha, por po të jetë ashtu kam këta të mitë që pushtuan Kapitol Hillin, se ata të tutë i rrahu edhe Gaz Bardhi. Po po. E njifte edhe Gazin.

Kemi folur edhe për investime këtu. Unë ia prisha mendjen që mos investonte në Beograd. Ja prisha murin Serbisë. I kam thënë edhe se po të jetë nevoja për investime unë kam toka në Orikum dhe në Bisht Porro. Çfarë është Porroja me bisht më pyti Trampi? Se po flisnim me google translejt se ai nuk e kuptueke anglishten time. I thashë se ia sqaroj unë ndërlidhësit tonë sekret. Të paktën të përkthejë ai jezit, mos t’i hajë kot ato 6 milion[. Dhe kshtu i propozova edhe për resorte në Tropojë por aty i kam pronat pa letra, i thashë. Kurse në Vlorë i ke të blindueme, i thashë. I kam me letra, i thashë. Kurse në Tropojë janë tokë babe, ti jap me gjysmë çmimi. Po Sazanin, më tha? Ta jap edhe atë, i thashë, vetëm se duhet me i ba letrat. U gzue shumë. Pastaj Trampi më tha mue: Doktor, unë nuk vij dot ta marr Ramën aty. Prandaj do bëjmë një plan. Po nis Ivankën aty që ti hedhim hi syve, ai qetësohet dhe vjen në Uashington. Aty pastaj punë e kollajtë. Ma len mue.

Ky e hangri. Në darkë piu verë nga ajo që ruante te bodrumi i Gysit, hëngrën fli, speca me gjizë dhe suxhuk Gjakove në hell. As e morri vesh zotëria se i bëmë puçin. Po or zotërinj, po. Ka marrë fund kjo punë. As ka kuptue gja. Prandaj bajuni gati se punë ditësh është kjo./dritare.net