Basha: Asnjë parti tjetër përveç PD, nuk mund ta rrëzojë Ramën!
Dritare.net
Kryedemokrati Lulzim Basha ishte sot në Kukës, në kuadër të fushatës për zgjedhjet e brendshme në PD që do të mbahen me 13 qershor. Basha akuzoi Ramën se ka nxitur 4 kandidatët që garojnë për kryetar të PD, për të përçarë partinë. Kreu demokrat tha se pas betejës për PD do të vijojë betejën për të rrëzuar Ramën.
"Është qëllimi im i prerë dhe synimi im final në drejtim të Partisë Demokratike, që jo vetëm të mos t'i shtrijë dorën dhe bashkëpunimit Edi Ramës por që së bashku menjëherë pas përfundimit të kësaj gare të nisim betejën për rrëzimin e regjimit të tij një orë e më parë. Kjo nuk është më detyrë politike, kjo është tani një detyrë patriotike, këtu nuk bëhet më fjalë për Partinë Demokratike, këtu behet fjalë për demokracinë, këtu bëhet fjalë për Shqipërinë. Regjimi i tij me 25 prill ka asgjësuar instrumentin e fundit që ka mbetur në këmbë pasi ka asgjësuar çdo institucion tjetër të republikës, që ishin zgjedhjet.
Në momentin që arrestohet instrumenti i fundit i ndryshimit, instrumenti i fundit i shpresës, atëherë detyra jonë patriotike është të bëjmë gjithçka për t’ia shkurtuar ditët. Dhe ne e dimë si bëhet kjo, asnjë parti tjetër politike nuk e ka në genin e vet, në ADN e vet teknologjinë e rrëzimit të regjimit përveç Partisë Demokratike.
Ndaj Edi Rama e di këtë dhe nuk do që ne ta vazhdojmë këtë betejë, aq më pak nuk do që ta vazhdojmë bashkë. I kanë rënë përtokë katër pyka që na i kishte futur për të na përçarë deri me 25 prill. Kishte investuar boll në ato 4 pyka. Ia thyet ju, ia thyen demokratët, ia thyen shqiptarët. Iu rrëzuan si këto kuti kartoni njëra pas tjetrës./L.F-dritare.net