
Basha: Do të bashkëpunojmë me këdo që e do Shqipërinë, por jo me Ramën!
Dritare.net
Kreu demokrat Lulzim Basha vijon takimet me demokratët në kuadër të zgjedhjeve të brendshme të partisë demokratike që do të mbahen në 13 qershor. Basha në fjalën e tij tha se ka marrë përgjegjësinë për humbjen e zgjedhjeve në 25 prill, por theksoi se gara ishte e pabarabartë. Kreu aktual i PD u shpreh se do të bashkëpunojë me aleatët, por jo me kryeministrin Rama.
“Qëndrimet tona duhet të jenë të qarta, qëndrimet tona duhet të jenë të pa ekuivoke. Dhe i pari që e ka përgjegjësinë ta bëjë këtë është kryetari i Partisë Demokratike, sot dhe pas 13 qershorit. Kryetari i Partisë Demokratike sot e ka bërë të qartë ditë për ditë dhe i ka perdorur keto mikrofona dhe atë kamera çdo ditë siç e keni ndjekur për të dhënë të njejtin mesazh: nuk e pranoj dhe nuk do ta pranoj kurrë si legjitim masakrën zgjedhore të 25 prillit sepse nuk përfaqëson vullnetin e qytetarëve shqiptarë.
Nuk ka bashkëpunim me autorin e kësaj masakre sepse kjo do të na bënte bashkëfajtorë, pra, betejë deri në fund dhe mobilizimin më të madh popullor për të rikthyer demokracinë, për të rikthyer legjitimitetin. Dhe në funksion të kësaj, jemi të gatshëm të bashkëpunojmë me këdo që i dhimbset demokracia në Shqipëri dhe padiskutim na duhet të bashkëpunojmë edhe me aleatët tanë, në funksion të sprapsjes së masakrës zgjedhore”, tha Basha./L.F-dritare.net

















