
Basha: Dy ngjarje nuk do të ndodhin kurrë, njohja e 25 prillit dhe bashkëpunimi me Ramën!
Dritare.net
Kreu demokrat Lulzim Basha po vijon takimet në kuadër të zgjedhjeve të brendshme për kryetar të PD më 13 qershor. Në bisedë me anëtarët kreu aktual i PD tha se rezultati i 25 prillit nuk do të njihet dhe as nuk do të pranohet. Edhe një herë Basha përsëriti se nuk do të ketë bashkëpunim me PS.
“Ju e dini fare mirë se 91-shi solli zgjedhje pas 50 vitesh diktaturë, por nuk solli zgjidhje. Sot jemi në të njëjtën situatë. 2021 solli zgjedhje dhe një masakër zgjedhore, por nuk solli zgjidhje. 91-shi nuk na uli në gjunjë, na bëri më të fortë, më të vetëdijshëm për t’u organizuar, për të vazhduar betejën për hir të Shqipërisë dhe për hir të shqiptarëve.
Dy gjëra t’i themi qartas sa i përket qëndrimit tim, sot si kryetar i Partisë Demokratike dhe nesër me besimin tuaj për të vazhduar betejën: një, rezultati i 25 prillit, tjetërsimi i vullnetit të zgjedhësve shqiptarë nuk do të njihet dhe nuk do të pranohet. Dhe dy, nuk ka bashkëpunim me regjimin e Edi Ramës, Tom Doshit me shokë, por ka atë që bën çdo qytetar me dinjitet në Europë, çdo familje politike me dinjitet ka përballje me anti-vlerat, ka betejë me regjimin deri në rrëzimin e regjimit dhe deri në rikthimin e Shqipërisë në një vend me demokraci dhe me zgjedhje normale”, u shpreh Basha./L.F-dritare.net

















