Basha: Vendi duhet të shkojë sa më parë në zgjedhje që do të sjellin zgjidhje!
Dritare.net
Kreu demokrat Lulzim Basha në takimet me demokratët për zgjedhjet e brendshme të PD kërkoi mbështetjen e anëtarëve për drejtimin e partisë edhe për 4 vjetët e tjera. Basha në bisedime me demokratët tha se vetëm PD mund ta mposhtë kryeministrin Rama. Basha përmendi gjithashtu edhe zgjedhjet e parakohshme duke thënë se vendi duhet të shkojë sa më parë drejt zgjedhjeve që do të sjellin zgjidhje.
“Kush tjetër përveç nesh ka forcën për ta çuar deri në fund këtë betejë? Por deri këtu nuk kemi ardhur rastësisht, nuk kemi ardhur duke u zvarritur. Forca jonë ka ardhur duke u shtuar pikërisht prej sakrificave dhe betejave që kemi zhvilluar.
Ndaj me këtë përgjegjësi që askush tjetër përveç nesh nuk e merr dot, me këtë forcë të rigjetur përmes bashkimit tonë dhe bashkimit të shqiptarëve me 25 prill, kam ardhur t’ju kërkoj ta vazhdojmë betejën, sikundër kam ardhur t’ju kërkoj të më jepni besimin të vazhdoj ti prij betejës me një qëllim, jo katër vjet, por një orë e më parë pas mbylljes së kësaj gare e cila i jep vlerë edhe më shumë dhe na tregon në sy të shqiptarëve se çfarë familjeje jemi.
Motivi dhe objektivi që më sjell para jush për t’ju kërkuar besimin tuaj është një dhe vetëm një: të përdorim çdo mjet, të angazhohemi në çdo formë, në çdo forum të brendshëm dhe të jashtëm, të marrim mbi supe çdo përgjegjësi që në kohën më të shkurtër të mundshme të çmontojmë regjimin Rama-Doshi me kompani, se emrat e tyre nuk mbarojnë po t’i marrim me radhë dhe ta çojmë vendin sa më parë drejt zgjedhjeve që do të sjellin zgjidhje”, tha Basha./L.F-dritare.net