Berisha: Irena Gjoka po fshihet prapa krimit të saj!
Dritare.net
Ish-kryeministri Sali Berisha duke komentuar hetimet e prokurorisë për çështjen Partizani ka sulmuar sërish gjyqtaren Irena Gjokën të cilën e akuzon si person të korruptuar.
Berisha tha se gjyqtarja nuk duhet të fshehë të vërtetën se është përjashtuar nga ai për korrupsion dhe se pjesëmarrja e saj në gjyq është konflikt interesi.
“Unë jam njeri i ligjit. Ligji e ka të shkruar, ligji thotë: personi, i cili për shkak të detyrës, duhet të marrë një vendim, duhet të vendosë një firmë, duhet të bëjë këtë ose atë, duhet para se të bëjë këtë, të deklarojë me shkrim se nuk është në konflikt interesi. Sot ky është një parim i sanksionuar. Edhe në gazetari po përhapet, në shkencë po e po. Dmth shkruan gazetari në artikull, në fund thotë se nuk kam asnjë konflikt interesi me këtë. Studiuesit pasivisht sepse kompanitë farmaceutike vërshojnë nga të katër anët për të lobuar për produktin e tyre. Se po të kuptohet se ata ose janë paguar, ose kanë lidhje, ata në komisionet shkencore etike ndëshkohen. Kjo që është për zyrtarët, që jam në konflikt interesi dhe nuk mund ta trajtoj këtë problem, kjo tani po bëhet standard etik universal. Por zyrtari e ka me ligj. Ajo fshihet, ajo fshihet prapa krimit të saj. Nuk ka gjë më të keqe. Prandaj i bëra thirrje edhe atij ministrit të prokurorisë: Ndihmoje ushtarin e mirë Manja, Ulsi që të thotë të vërtetën shqiptarëve, se ajo e ka fshehur tani, ajo e ka humbur. Por shqiptarët duhet t’i dinë gjërat. Nuk mund të fshihen si në shpella.
Janë zyrtarë, marrin rroga, mbahen me taksat e shqiptarëve. Akt i shëmtuar, një akt i shëmtuar. Se asaj i kërkuan avokatët e mi. Ia dhanë mundësinë, jep dorëheqjen nga çështja. Ajo jo vetëm që nuk dha dorëheqjen, por i përjashtoi edhe ata nga çështja. Dhe gjeti atë famozen. Me shpresë se diku në thellësitë e labirinteve të koshiencës njerëzore të gjykatëses Irena Gjoka, kanë ngelur grimca të dinjitetit dhe integritetit njerëzor. Pra, për t’i dhënë mundësinë asaj që të tregojë se ka gabuar dhe po e korrigjon gabimin”, tha Berisha./M.K-dritare.net