Na ndiqni edhe në

Politikë

Kampi për emigrantët, Rama për Corriere della Sera: Gjithçka do të menaxhohet nga Italia!

Kampi për emigrantët, Rama për Corriere della Sera:

Kryeministri Edi Rama në një intervistë për median italiane ka folur në lidhje me kampin e refugjatëve në Shqipëri pas marrëveshjes me Italinë.

Rama për Corriere della Sera deklaron se marrëveshja me kryeministren italiane Giorgia Meloni do të ratifikohet në parlament. Po ashtu Rama ka deklaruar se shqiptarët nuk duhet të ndihen të frikësuar se në kamp mund të strehohen edhe terroristë.

Sipas zv/sekretarit Fazzolari, emigrantët mund të qëndrojnë në qendër në Shqipëri deri në 18 muaj kështu?

Rama:Marrëveshja parashikon që emigrantët do të priten në qendrën e pritjes me qëllimin e vetëm të kryerjes së procedurave kufitare apo të riatdhesimit, të parashikuara nga legjislacioni italian dhe europian dhe për kohën e nevojshme. Në rast se nuk ka më të drejtën e qëndrimit në struktura, Italia i transferon menjëherë emigrantët nga territori shqiptar.

A ka rrezik që mes emigrantëve të ketë terroristë?

Rama: Nuk ka asnjë arsye për të pasur frikë. Thjesht duhet të kemi vullnetin dhe kujdesin për të përmbushur këtë angazhim duke respektuar dinjitetin njerëzor dhe rregullat e vendosura për funksionimin e këtij operacioni të përbashkët, të cilat përfshijnë edhe kontrollin nga agjencitë e sigurisë të të dy vendeve.

A nuk keni frikë se Italia do të braktisë refugjatët?

Rama: Përgjigja është në marrëveshje. Periudha e qëndrimit në territorin shqiptar nuk mund të kalojë maksimumin e lejuar nga legjislacioni italian për këtë çështje. Autoritetet italiane, në përfundim të procedurave të kryera në përputhje me legjislacionin e tyre, do të marrin masa për largimin.

Kush do të vijë në Shqipëri?

Rama: Ata që përçuan në media në mënyrë të shtrembër atë që tha Meloni në konferencën për shtyp, folën për burra. Kryeministrja nënvizoi se të miturit dhe gratë shtatzëna nuk bëjnë pjesë në kategoritë e personave që do të priten në qendrën e pritjes në Shqipëri.

A jeni kontaktuar nga vende të tjera evropiane pas marrëveshjes me Italinë?

Rama: Jo. Dhe ne nuk do të jemi të gatshëm për asnjë kërkesë, ashtu siç nuk ishim për kërkesa të ngjashme përpara se të na kërkonte Italia. Në Romë nuk mund të thonim jo sepse kemi një borxh mirënjohjeje që nuk do të mund ta shlyejmë kurrë, por që nuk duhet ta harrojmë kurrë.

A do të trajtohen çështjet që lidhen me kërkesën për azil nga avokatët italianë që vijnë në Shqipëri?

Rama: Ky operacion do të jetë 100% përgjegjësi e palës italiane, në çdo aspekt.

Një nga partitë e opozitës shqiptare pretendon se nuk është kushtetuese t’i lëshosh një tokë një shteti tjetër?

Rama: Ligjet tona në këtë pikë janë të qarta: marrëveshja do të ratifikohet nga Parlamenti në javët në vijim”.

Unë nuk i përgjigjem kurrë në gjuhë të huaj opozitës në Shqipëri, e nuk komentoj fjalët e një politikani si ai, i shpallur i padëshiruar nga SHBA-të për korrupsionin e rëndë që përfshiu familjen e tij dhe për minimin e demokracisë në vendin tonë. Nuk e komentoj as në shqip. Fatmirësisht shqiptarët e dinë mirë se çfarë është emigracioni dhe mikpritja ndaj atyre në nevojë.

Jeni të pakënaqur me reagimin e Partisë Demokratike Italiane?

Rama: Kam qenë i befasuar. Ata kanë të drejtë të kundërshtojnë dhe kritikojnë qeverinë e tyre, por nuk ka asnjë arsye për të përfshirë socializmin dhe ekzekutivin shqiptar. Qeveritë vijnë e shkojnë, interpretimet e socializmit ndryshojnë, por Shqipëria dhe Italia janë gjithmonë aty, të lidhura pazgjidhshmërisht në ditët e mira dhe të këqija”.

Për çfarë e kritikoni Partinë Demokratike Italiane për reagimin e saj dhe fenomenin e migracionit?

Rama: Asgjë! Askush në Evropë nuk mund të thotë se kanë zgjidhjen ideale dhe funksionale në të njëjtën kohë. Derisa Evropa të ketë një zgjidhje të pranuar nga të gjithë – edhe në aplikimin e saj të përditshëm – kjo do të mbetet një histori betejash dhe lojërash politike në shtetet anëtare”.

Keni pasur ndonjë reagim, qoftë edhe informal, nga pjesa tjetër e Partitë Socialiste Evropiane?

Rama: Jo, asnjë reagim.

Pas gjithë kësaj zhurme, jeni ende të bindur për këtë marrëveshje me Italinë?

Rama: Zhurmat si këto, siç i quani me të drejtë, nuk më shqetësojnë fare./M.K-dritare.net