Na ndiqni edhe në

Politikë

The Guardian: Opozita shqiptare zjarr në parlament, gjatë protestës antiqeveritare!

The Guardian: Opozita shqiptare zjarr në parlament, gjatë

Opozita shqiptare ka ndezur tymuese dhe ka shkaktuar zjarr në mes të parlamentit, pas përpjekjes së dështuar për të ndaluar Parlamentin të votojë buxhetin e 2024-ës.

Deputetët e përfshirë në protestën e së hënës grumbulluan karrige në qendër Kuvendit dhe tymi i kuq, jeshil dhe vjollcë mbushi zonën ndërsa siguria i mbajti protestuesit larg nga kryeministri Edi Rama. Një deputet u shfaq duke ndezur një zjarr të vogël por flakët u shuan nga politikanët përreth. Lideri de fakto i Partisë Demokratike, Sali Berisha, një ish-kryeministër dhe presidenti i parë postkomunist i Shqipërisë nga viti 1992 deri në 1997, ka akuzuar qeverinë se po përpiqet të heshtë opozitën në parlament, ku Partia Socialiste e Ramës ka shumicën, citon The Guardian.

“Beteja nuk ka rrugë kthimi”, u tha Berisha gazetarëve pas trazirës në sallën ku buxheti kaloi votimin e parë në një seancë që zgjati më pak se pesë minuta. “Qëllimi ynë është të sjellim pluralizëm në parlament”.

Muajin e kaluar prokurorët akuzuan Berishën dhe dhëndrin e tij për korrupsion lidhur me një marrëveshje toke që përfshinte terrenet e një klubi sportiv. Ata e akuzuan atë se ka përdorur ndikimin e tij si kryeministër nga viti 2005 deri në 2009 për të ushtruar presion për përfundimin e procedurave të privatizimit në favor të të tjerëve, përfshirë burrin e vajzës së tij.

Dhëndri i tij u arrestua por si deputet Berisha ka imunitet nga ndjekja penale. Ai është urdhëruar të mos largohet nga vendi. Ai i mohon akuzat. Berisha akuzon Ramën se ka orkestruar prokurorinë ndaj tij. Rama e mohon akuzën.

“Ata [opozita] sollën fjalorin dhe sjelljet e rrugës në politikë”, tha Rama në X pas trazirave./M.K-dritare.net