
Toni Gogu: Puna jonë është qytetari, jo kundërshtari!
Dritare.net
Në kuadër të fushatës elektorale për zgjedhjet e 25 prillit, ishte i ftuar sot në lidhje Skype në edicionin e lajmeve në Dritare Tv kandidati për deputet i partisë socialiste Toni Gogu. I nënti në listën e PS, zoti Gogu kandidon në qarkun e Tiranës në zonën e Vaqarit, Ndroqit dhe Pezës që prej disa vjetësh është edhe vendbanimi i tij.
“Motorët janë ndezur dhe pranvera ka ardhur në krahinën tonë. Më në fund të rinjtë po përqafojnë gjyshërit të cilët po vaksinohen çdo ditë, si edhe çekiçët e shtëpive dëgjohen duke sjellë buzëqeshjen në jetën e atyre që kanë pritur kaq gjatë. Nuk e kam të qartë kë kam nga pala kundërshtare, në mos gaboj është Belind Këlliçi. Puna jonë po fokusohet te qytetari, jo tek kundërshtari. Puna jonë po vijon me dy kahe, nga njëra anë është puna jonë e përditshme për vaksinimin dhe tërmetin. Ndërsa nga ana tjetër janë akuzat nga kundërshtarët. Ditën sot e kam nisur duke shkuar në qendrën shëndetësore në Pezë të Vogël, për të ndjekur procesin e vaksinimit. Unë nga njerëzit dëgjoj falënderime, sidomos nga të moshuarit për vaksinimet dhe banorët e prekur të tërmetit që po futen në shtëpi. Ndihem i nderuar që përfaqësoj këtë zonë, pasi banoj aty dhe ndaj jetën time,” u shpreh z. Gogu për Dritare Tv./M.T-dritare.net

















