Na ndiqni edhe në

Gjëja e Gjallë na Mban Gjallë

Sekreti i fermerit që po fiton nga arrat dhe viçat në Kosovë!


Në zemër të Suharekës, mes gjelbërimit, arrave dhe tufës së lopëve që kullosin të lira, Rudina Xhunga ndalet në fermën e Avni Gashit, një sipërmarrës që ka ndërtuar një model modern të bujqësisë dhe blegtorisë, ku çdo hallkë lidhet me tjetrën dhe asgjë nuk shkon dëm.

Ky është një tjetër episod i ciklit dokumentar "Gjëja e gjallë na mban gjallë", një udhëtim që tregon historitë e njerëzve që besojnë se zhvillimi i bujqësisë dhe blegtorisë është themeli i një ekonomie të qëndrueshme dhe i një turizmi që ushqehet me prodhimin vendas.

Ferma e Avni Gashit është shumë më tepër se një stallë me lopë. Në 18 hektarë tokë, 15 hektarë janë mbjellë me rreth 4 mijë rrënjë arrë të varietetit Chandler, ndërsa pjesa tjetër është e dedikuar për fermën e qumështit. Dy investime që funksionojnë si një sistem i vetëm.

Plehu organik i fermës përdoret për pemishtet, ndërsa prodhimi bujqësor shërben për ushqimin e bagëtive. Një ekonomi rrethore, ku natyra dhe puna bashkëjetojnë në ekuilibër.

"Është një zinxhir", thotë Avniu. "Po të mos kishim bagëtinë, do të shpenzonim dhjetëra mijëra euro çdo vit vetëm për pleh. Sot gjithçka kthehet në tokë."

Në fermë numërohen 93 lopë të racës Holstein Friesian, të ardhura nga Gjermania. Lopët kullosin çdo ditë në ajër të pastër, marrin rrezet e diellit dhe më pas rikthehen në stallën moderne, ku gjithçka është e automatizuar: ushqimi, pastrimi, mjelja dhe ruajtja e qumështit.

Qumështi dërgohet çdo ditë në fabrikë dhe ferma është klasifikuar në kategorinë "ekstra", duke përfituar subvencionet maksimale për cilësinë.

Por suksesi nuk matet vetëm me teknologjinë.

Në këtë fermë punojnë dhjetë persona, gra dhe burra të zonës. Edhe nusja e familjes është pjesë e ekipit dhe merret çdo ditë me procesin e mjeljes, duke u trajtuar si çdo punonjës tjetër, me pagë dhe përgjegjësi.

Një detaj që flet shumë për mënyrën sesi kjo familje e sheh punën: si profesion dhe jo si detyrim.

Në fermë rriten edhe viçat, të cilët ushqehen për tre muaj me qumësht natyral lope, një praktikë që në shumë vende është zëvendësuar nga qumështi pluhur për arsye kostoje. Për Avni Gashin, cilësia vjen gjithmonë e para.

Veterineri dhe nutricionisti i Austria Praemix, Kristian Maka viziton fermën rregullisht, ndërsa çdo recetë ushqimore përgatitet me kujdes për të garantuar rendiment të lartë dhe mirëqenie të kafshëve.

Gjatë bisedës me Rudina Xhungën del në pah edhe një tjetër dallim që tërheq vëmendjen: sistemi i subvencioneve në Kosovë.

Për çdo litër qumësht të klasit ekstra, fermeri përfiton mbështetje nga qeveria dhe nga komuna, ndërsa subvencione jepen edhe për pemishtet me arra. Një model që nxit investimin dhe formalizimin e fermave.

Megjithatë, Avniu e thotë qartë se subvencionet nuk mjaftojnë.

"Kjo punë kërkon shumë punë. Nuk ka pushim. Lopët nuk njohin fundjavë."

Në fermën e Avni Gashit, suksesi nuk matet vetëm me litra qumështi apo hektarë tokë, por me vazhdimësinë e një mënyre jetese që i jep kuptim çdo dite pune. Është një ekonomi që nuk ndalet, sepse bazohet te jeta vetë./dritare.net