
Nga Ermal Peçi
Para 1 viti Shqipëria në sytë e Evropës u prezantua si një shoqëri prehistorike, e cila nuk njeh institucionet, gjuhën e ligjit, por vetëm dhunën. Në sytë e të rinjve shqiptarë u rikthyen pamje, të cilat nuk përputheshin me edukimin, arsimimin dhe vizionin se si duhej të ishte Partia Demokratike, si forca më e madhe opozitare dhe si partia që pritej që nesër të merrte pushtetin dhe të udhëhiqte Shqipërinë drejt Bashkimit Evropian. 8 Janari do të mbahet mend gjatë, si turpi që përfshiu një forcë politike e cila shënjoi shkatërrimin e saj, por jo fundin e përjetshëm.
Turp, i cili u krijua nga të dyja palët pavarësisht fronteve që ishin pozicionuar. Panorama e asaj dite ishte një panoramë e trishtë. Partia që rrëzoi komunizmin, anëtarësoi Shqipërinë në Nato, mundësoi liberalizimin e vizave, zgjodhi të bunkerizohej në një mënyrë të frikshme, të mbyllej në vetvete me dyer hekuri. Nuk e imagjinoj dot se si janë ndjerë ish-të persekutuarit, kur panë që partia, e cila pretendonte se përfaqësonte të drejtat e tyre u vetë-izolua si burgu i Spaçit. Nga ana tjetër ishte tragjike se si lideri historik sulmoi me vare dhe me hekura njerëzit, të cilët mendonin ndryshe duke i tredhur me ndjenjën e frikës. Ajo datë do të mbahet mend gjatë në historinë politike të Shqipërisë, për atë çfarë ndodhi dhe si rrodhën ngjarjet politike. Ajo datë bën me turp çdo demokrat dhe çdo qytetar të Shqipërisë. Të dyja palët gabuan, por pesha më e madhe bie mbi supet e Sali Berishës, si lideri historik i PD-së, i cili duhet ta menaxhonte ndryshe.
Partia Demokratike më 8 Janar të 2022 krijoi çarjen, e cila futi ujë dhe krijoi përrenj të tjerë në shtratin e saj ujor dhe sot gjendet midis tri grupimeve. Sot kjo parti ka nevojë për rebel të rinj, të cilët duhet të shkundin pluhurin politik që ka mbështjellë e ka zënë shtresa në këtë parti. Pluhuri politik po e lë këtë parti në opozitë dhe gjasat janë që kjo opozitë pa rebelët e tij të rinj do të ngelë për shumë gjatë në gjumin letargjik të opozitës./dritare.net

















