Na ndiqni edhe në

Shkruaj në Dritare

Eh ç’i marrose të gjithë këtë verë, moj Shqipëri!

Eh ç’i marrose të gjithë këtë verë, moj
Foto: Florion Goca, Reuters

Nga Malvina Tare

Eh ç’i marrose të gjithë këtë verë, moj

Ditët e fundit të gushtit në bregdet të japin përshtypjen sikur vera sapo ka nisur, nga fluksi i turistëve që vazhdojnë të vijnë. Aeroporti është stacioni më i vizituar nga vendas e të huaj, që ikin e vijnë. E më pas të gjithë rendin me vrap drejt pikave më të njohura turistike në të gjithë vendin.

Shumë zgjedhin bregdetin, por jo pak të tjerë zgjedhin kanionet, malet dhe perlat e veriut të Shqipërisë që të ngrenë adrenalinën në qiell me pamjet spektakolare, si të ujëvarave në Theth. Grykëderdhja e lumit të Shalës në liqenin e Komanit është kthyer gjithashtu në një nga destinacionet më tërheqëse lumore të Alpeve shqiptare. Izoluar nga majat e larta, rrjedha e vrullshme e ujit të kaltër të Shalës i ofron turistëve një panoramë nga ato që ngjajnë me Tajlandën e largët.

Ujë si kristal dhe ajër pupël i lehtë që të mbush me energji dhe të duket sikur aty po merr frymë për herë të parë.

Vija bregdetare nga Velipoja e deri në Ksamil ka parë më shumë njerëz se asnjëherë. E ndërsa në Vlorë e Sarandë megjithëse jemi afër fundit të gushtit e pushimeve njëkohësisht, duket se askush nuk ka ndërmend të largohet. Turistët italianë janë rehatuar mirë në konfortin e një vendi të vogël që ofron shumë më shumë nga çfarë mendon.

Në plazhin e Vlorës këtë verë flitej vetëm në gjuhë të huaj, holandezë, gjermanë dhe italianë po shijojnë ende në ëndje të plotë bregdetin e Vlorës me rërë e gurë. Nëse do të vije re me kujdes, në parkime hotelesh shihje makina me targa të mbuluara, ishin turistë nga Serbia. Me shumicë, të gjithë në Vlorë, për të shijuar det, diell dhe jetë bashkë me të tjerët.

Rrugët, baret restorantet e këtij qyteti janë plot dhe kjo të jep një ndjesi të mirë, ndjesinë se ky qytet është më i gjallë se kurrë. Se ky qytet ka vend për të gjithë dhe këtë verë u bë ndërkombëtar. Vlora këtë verë e hapi përpara kohe pistën e fluturimit për të pritur mijëra të huaj, që e gjetën rrugën gati për të ardhur në një vend, tek i cili fillimisht shkonin me dyshimin e një evropiani.

Turistët zbuluan një vend të ri magjik brigjeve të Adriatikut dhe Jonit, një vend tek i cili do kthehen e rikthehen shumë herë edhe me miqtë e tyre. Evropianët e zbuluan një vend të ngrohtë, me diell e me njerëz që luftojnë t’ia dalin dhe janë duke u përmirësuar çdo ditë e më shumë në atë që shqiptari di të bëjë më mirë, të mikpres këdo që i troket në derë./dritare.net