
Gazetarja: Ulëritëse që fëmijët po sillen si kriminelë!
Dritare.net

Nga Malvina Tare
Tmerret sociale, nuk kanë fund dhe kur dëgjon lajmet, çdo ditë këto lajme të vijnë si ai laku në fyt, që sa vjen e ngushtohet dhe mezi kapërdihesh. E ndërsa sot një lajm i kobshëm i vrasjes së një fëmije në oborrin e shkollës. Është ulëritëse të mendosh se sot fëmijët po sillen si kriminelë, se pafajësia humbet aq shpejt dhe shoqëria gjendet e papërgatitur në këtë dinamikë sjelljesh të pakontrollueshme.
Degradoi në vrasje, një sherr mes fëmijësh, e ku? Në mes të kryeqytetit, një sjellje, si ato ngjarje që ndodhin në getot e Amerikës. Therëse, ta mendosh që ky është niveli i qytetarisë dhe edukatës brezore që kemi arritur. Mësuesit edukojnë ende sikur përpara kanë veten e tyre fëmijë në bankat e shkollës së diktaturës.
Sot nuk ka më diktaturë, por kjo është e vështirë, sepse duhet të edukojnë menaxhimin e lirisë.
Nuk flitet më njësoj me një adoleshent si përpara '90-ës, nuk flitet më njësoj me adoleshentin që drejtohet nga Tik Tok-u dhe “yjet” e Instagramit. Duhet të mësoni t’i bëni për vete dhe t’u edukoni lirinë dhe të drejtat.
Deri ku shkon e drejta jonë tek tjetri. Ku cenohet morali, ku cenohet jeta. Sot edukuesit duhet të mësojnë dhe edukojnë lirinë. Duhet të shërbejë si një mësim i mirë për të gjithë kjo humbje në mes të kryeqytetit, humbi jeta e një fëmije, në vendin e edukimit.
Sa mëkat e turp për ne./dritare.net

















