
Nga Bardhyl Reso
Janë të pafund shembujt të personazheve politikë që pretendojnë se rrëzuan diktaturën komuniste në Shqipëri, sollën pluralizmin politik duke na dhuruar bashkë me të dhe këtë tranzicion të pafund. Tranzicion i mbushur me drama tragji-komike por që në thelb zbulojnë karaktere sharlatanësh, dështakësh politike apo dhe kriminelë të mirëfilltë të krimit të organizuar në shumë nivele politike, sociale e financiare.
Fillimisht, pjesa më e madhe e anëtarëve të komisionit Nismëtar të Partisë Demokratike ishte e përbërë nga ish-komunistë ose pinjollë familjesh të dëgjuara komuniste. Dalja në skenë herë pas here e disa prej tyre, duke tundur flamuj të ndryshëm sipas interesit, të detyron të kujtosh veprimtarinë e tyre politike shumëngjyrëshe. Madje, tashmë, skena e tyre politike është kthyer në një skenë teatri dhe rolet e tyre ndryshojnë sipas regjisorëve që i punësojnë me paga joshëse.
Ndonjë syresh, mbase nuk i shpëton dot rolit të aktorit të vërtetë, siç është ish-aktori i kinematografisë dhe teatrit, politikani i shumë ngjyrave Arben Imami. Nuk dua të bëj historinë e jetës së tij politike dhe kontributet e tij që nga viti 1990 e në vazhdim, por do të dëshiroja të përmendja disa momente pikante të mfunksioneve që ka mbartur dhe ngjarjeve ku ka marrë pjesë si kontribuues ose si aktor.
-Anëtar i Komisionit Nismëtar të PD-së.
-Deputet në disa legjislacione të Kuvendit Popullor herë me PD-në e herë në
aleanca me PS-në.
-Anëtar i fraksionit të parë në PD, Partia Aleanca Demokratike që ishte
grupimi i parë i organizuar në kundërshtim me Sali Berishën.
-Në vitin 1996 dhunohet fizikisht nga policia e Sali Berishës, në rrugë si dhe
në ambientet e komisariatit të policies. Pas dhunimit, hidhet nga një furgon para
shkallëve të pallatit ku jetonte, i gjakosur dhe me rroba të grisura. Banorët e pallatit
e kanë ngritur e ndihmuar pasi edhe gruaja e tij mbahej në pyetje në komisariat.
-Në ngjarjet e vitit 1997, vihet në krye të bandave të armatosura të Jugut të
Shqipërisë, vetëtitullohet Komandant dhe na vishet dhe me kostum ushtarak me
gradën e Gjeneralit.
-Në vitin 1998 merr postin e Ministrit të Drejtësisë në qeverinë socialiste.
-Në vitin 2005, pas thirrjes së Sali Berishës për kthimin e “demokratëve të
vërtetë” në gjirin e parties, kthehet përsëri në PD.
-Në mandatin e parë të Qeverisë Berisha 2005-2009 merr postin e Shefit të
Kabinetit të Qeverisë.
-Në mandatin 2009-2013 ka postin e Ministrit të Brendshëm.
-Në vitin 20017 i kundërvihet Lulzim Bashës pasi ai nuk e vuri në listat për
deputet.
-Aktualisht përkrahës i Sali Berishës për rithemelimin e PD-së.
Më lejoni t’ju kujtoj zoti Imami që ju e dini fare mirë se kush janë dhunuesit e tu, por me sa duket, uria për një pozitë të re e ka hedhur pas shpine atë tragjedi që përfshiu tërë familjen tuaj. E shoh që roli juaj i ri është të viheni në kërkim të dhunuesit që dhunoi dhunuesit tuaj! Hipokrizi e neveritshme dhe sharlatanizëm i frikshëm. Arben Imami nuk dënoi sinqerisht dhunën por krijoi mjegull për të akuzuar padrejtësisht sepse ashtu i volitet. Dhunues që dhunojnë brenda llojit! Dhunues blu që akuzojnë kundër dhunës së kuqe. Ndërkohë, lutem dhe shpresoj që kjo e dyta nuk do të vazhdojë këtë histori tragjike. Dhuna sjell më shumë dhunë dhe çdo akt i dhunshëm është kategorikisht i papranueshëm në një shoqëri që aspiron të bëhet pjesë e familjes evropiane. Shqipëria është ende e plagosur nga dhuna komuniste, nga dhuna shoviniste e fqinjëve, por më e dhimbshme është urrejtja e dhunshme me të cilën i kundërvihemi njeri-tjetrit. Pikërisht në këto momente që Europa na ka ofruar shanse dhe burime rimëkëmbjeje të çmuara, ky histerizëm politik është vetëm dëmprurës jo vetëm për shoqërinë tonë por mbi të gjitha për të ardhmen e kombit të bashkuar të të gjithë Shqiptarëve.
“Dhuna, është arsye e injorancës, thotë filozofi Aleksander Berkman, armë e të dobëtit. Fuqia e zemrës dhe e mendjes nuk ka nevojë për dhunë”. Mjerisht, mentaliteti i shumë bashkatdhetarëve kërkon të zgjidhë problemet me dhunë, ndërsa ai i shumë politikanëve, të fshihen pas dhunës me “duar të pastra”ose ta përdorin dhunën ndaj të tjerëve si shkallë për një rol të ri në skenën politiko-teatrale./dritare.net

















