Ju tregoj fëmijërinë time në ishullin e Sazanit!
Dritare.net
Tre gjeneralë që drejtuan ishullin e Sazanit u bënë bashkë dhe për herë të parë folën publikisht në emisionin Shqip nga Rudina Xhunga në Dritare TV, për të vërtetat e ishullit. Tasim Meçe, ish-komandant i Ishullit të Sazanit, Ndue Bardhi ish-shefi i Shëndetësisë së Ishullit dhe Mustafa Beu ish-shefi i Shtabit të Ishullit tregojnë ekskluzivisht për DritareTV se Sazani është një ishull antibërthamor.
Majlinda Beu, vajza e ish-shefit të Shtabit të Ishullit, e cila ka kaluar fëmijërinë në Sazan, foli gjithashtu për jetën e saj në Ishull dhe për emocionet e forta që ky emision i dha.
Nga Majlinda Beu
Unë jam ishulljote e sot kam qeshur e kam qarë kur ndoqa emisionin Shqip nga Rudina Xhunga në Dritare TV, dedikuar ishullit tim, Sazanit tim, bashkë me liderët e ishullit, babai im Mustafa Beu ish-shef shtabi i Ishullit, Tasim Meçe ish komandant i Ishullit, Ndue Bardhi ish-kryemjeku i Ishullit. Çdo anekdotë e rrëfenjë e liderëve më zgjonte kujtime nga nënkoshienca. Vajza 5 vjeçe me emrin Linda, siç më thirr vetëm familja, jetonte në atë ishull dhe mendonte se ishte normale që njerëzit të jetojnë në gatishmëri për luftë.
Kur kalonte afër një anije e huaj, ne shihnim fishekun e alarmit në ajër, kur shihnim bidonat bosh mbi det ne përsëri shihnim fishekun e luftës.
Për vajzën 5-vjece ishte normale të prekje predha, topa, të lozje në tunele plot me armë. Mendoja se oficer është i vetmi profesion që ekziston. Mendoja se gjithë bota ishte në luftë dhe ne ishim më të mbrojturit në ishull. Ndjehesha e sigurt si të gjithë fëmijët e ishullit se baballarët tanë që ishin 24 orë gatishmëri po na mbronin nga armiku ndaj nuk vinin në darkë për të fjetur në shtëpi.
Krenohesha me anijen cisterne Linda që sillte ujë të pijshëm në ishull dhe sa herë e pija thosha është uji Linda si unë. 5 vitet e para të jetës e ekspozuar me luftë gatishmërie e mbijetese. Sot e kam kuptuar pse kam zgjedhur rrugën time si negociatore e avokate për të zgjidhur mosmarrëveshjet.
Në këtë emision u shokova për lidhjet e Sazanit me konfliktet në Lindjen e Mesme, kur unë vij nga Sazani dhe punoj për preventimin e konflikteve në Dubai.
Këta tre liderë i respektoj dhe admiroj sa herë i takoj, por sot i kam adhuruar më shumë, sepse më kanë frymëzuar më shumë me punën e forcën e tyre.
Admirova Rudinën si e shpalosi aq bukur e spontanisht bisedën e 3 profesionistëve që nuk flisnin asnjëherë për Sazanin jashtë rrethit të tyre. Rudina Xhunga je magjepsëse dhe e mrekullueshme. Të falënderoj për realizimin e këtij programi për 80-vjetorin e Ishullit. Të falënderoj për këtë emision kaq të bukur që habiti fëmijët e mi që tani kanë gjyshin fenomen në Youtube.
Me dashuri ishulljotja Majlinda Beu!/dritare.net