Na ndiqni edhe në

Shkruaj në Dritare

Këmbanat e Escobar që Rithemelimi nuk i dëgjon!

Këmbanat e Escobar që Rithemelimi nuk i dëgjon!

Në politikën provinciale shqiptare, këmbanat nuk kanë rënë kurrë kaq fortë, sa kanë filluar të oshëtijnë në çdo vesh njerëzor por jo në veshët e “Rithemelimit”. Ata veshë e sy që shikojnë vetëm Sali Berishën dhe askënd tjetër. Një dashuri pasionante dhe e verbër që nuk po i lë të shikojnë se çfarë po ndodh përtej kësaj dashurie platonike.

Një dashuri që po afron edhe rishtarë të rinj të cilat dita ditës shikojnë mundësinë për të përfituar nga torta të cilën ai e zotëron.

Në 32 vite politikë aktive, njeriu që mori gjithçka nga politika u shënjua me njollë të zezë nga SHBA. Askush nuk do ta kishte menduar që Sali Berisha, që erdhi në pushtet nga mbështetja amerikane, do të shpallej “Non grata” po nga ata njerëz që i dhanë pushtet absolut.

Këtu në këtë fshatin tonë të vogël që pretendohet se bëhet politikë e madhe, ku të gjithë flasin për gjithçka dhe të gjithë s’dinë asgjë, ku gjeopolitika diskutohet si një bisedë e kafeneve të Tiranës, askush nuk kishte nxjerrë mesim nga përvoja historike e ish-vendeve totalitare, në të cilën individët të cilët donin pushtet të përjetshëm ose të trashëgonin pushtetin familjar, fundin e kanë pasur jo dinjitoz dhe në një mënyrë tragjike duke u turpëruar para njerëzve.

Në politikë, mësimi i parë dhe më thelbësori është të mësosh kur duhet të tërhiqesh, se sa si duhet të veprosh kur fiton. Tërheqja ka dinjitetin e vet, se ndryshe të tërheqin prej veshi dhe të nxjerrin “Ata” jashtë.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës nëpërmjet ambasadores së tyre kanë përforcuar për të disatën herë thirrjet e tyre se nuk do të bashkëpunojnë me Partinë Demokratike për sa kohë në krye të saj do të jetë Sali Berisha. Këmbanat po bien çdo ditë e më fortë për veshët dhe mendjet të cilat nuk po duan të dëgjojnë dhe të kuptojnë.

Në një intervistë për Zërin e Amerikës i dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor përsëriti thirrjen ndaj institucioneve shqiptare që të shqyrtojnë “Non Gratën” e Sali Berishës sepse është e bazuar në fakte dhe prova.

“Vendimi për ta përcaktuar atë ishte një vendim institucional. Nuk ishte një vendim individual dhe nuk ishte një vendim politik. Ishte një vendim që ne e morrëm për shkak të korrupsionit që gjetëm.

Unë do t’u bëja thirrje institucioneve në Shqipëri ta shqyrtojnë këtë. Por dua të them, se ne ende kemi partnerë të mirë në Partinë Demokratike, ne duam që Partia Demokratike të jetë një kontribues i fortë dhe i rëndësishëm i stabilitetit politik në Shqipëri.

Unë do t’u bëja thirrje mbështetësve të Partisë Demokratike të mendojnë për imazhin që përcjellin, nëse do të kishin në krye njerëz, që janë përcaktuar nga Sekretari i Shtetit për korrupsion”, tha Escobar për Zërin e Amerikës.

Mesazhe të qarta dhe të drejtëpërdrejta se çfarë i pret ata që mbështesin Berishën në këtë dimër të ftohtë dh se ora e vetmisë së madhe po afron. Një gjë është më se e sigurt, që këmbanat po bien për ata që kanë veshë t’i dëgjojnë!/dritare.net