Na ndiqni edhe në

Shkruaj në Dritare

Libra shqip për bibliotekat e lagjeve në Londër!

Libra shqip për bibliotekat e lagjeve në Londër!

Nga Anila Kadija

Mungesa e librave në gjuhën shqipe në bibliotekat e lagjeve të ndryshme të Londrës është një realitet i dhimbshëm, sidomos për fëmijët tanë. Ky fenomen nuk reflekton vetëm një mungesë sensibilizimi ndaj gjuhës shqipe, por edhe një indiferentizëm të lehtë komunitar.

Ne të gjithë mund të kontribuojmë duke dhuruar libra në shqip bibliotekave të zonës ku jetojmë. Në këtë mënyrë, pak nga pak, i japim jetë këtyre mjediseve me gjuhën tonë, me autorët tanë, me kulturën tonë.

Libra shqip për bibliotekat e lagjeve në Londër!

Personalisht, kam vizituar bibliotekat në Richmond, Chiswick, Acton dhe Kilburn. Aty ekzistojnë sektorë me libra në gjuhë të ndryshme të huaja, por, fatkeqësisht, nuk gjendet asnjë libër në shqip, as për fëmijë.

Sensibilizimi është i nevojshëm: bibliotekat janë mjedise të frekuentuara, të bukura, ku kultura dhe informacioni bashkëjetojnë. Edukimi i fëmijëve me konceptin e bibliotekës është mënyra më e shëndetshme për të kaluar kohën e lirë dhe, njëkohësisht, mbështet shumë nxënësit që frekuentojnë shkollat shqipe në mbarë Mbretërinë e Bashkuar.

Si alternativë, që prej tre vitesh kam krijuar një kënd me libra në shqip për nxënësit shkollave “Ardhmëria” ku jap mësim në Westminster dhe Chiswick. Kemi nga autorët Iliaz Bobaj, Rudina Xhunga, Natasha Poroçani, Mitrush Kuteli, Petro Marko etj.

Libra shqip për bibliotekat e lagjeve në Londër!

Librat mund të merren edhe në shtëpi, dhe çdo nxënës ka skedën e tij të leximeve. Në fund të vitit shkollor shpallim “Lexuesin e mirë”, të cilit i ofrohet një dhuratë simbolike: një biletë falas për Panairin e Librit në Londër.

Librat që përdorim janë blerë nga mësueset, dhuruar nga familjet, ose priten nga shtëpia botuese ALBAS. Gjithashtu kemi disa libra për fëmijë nga Qendra e Botimit për Diasporën.
Të gjithë këto pasuri gjuhësore dhe letrare i konsiderojmë të çmuara dhe i ruajmë si sytë e ballit.

Le të dhurojmë libra në shqip në bibliotekat e lagjeve ku jetojmë, kudo në botë. Në këtë mënyrë ndërtojmë një pasuri të përbashkët shqiptare për brezat e ardhshëm./dritare/net