Midis dy botëve: shqiptarët dhe mungesa barazisë europiane
Dritare.net

Vasil Merko, Gjermani
Për shumë shqiptarë që jetojnë prej dekadash në Europë, ndjenja e të qenit “qytetar i dorës së dytë” nuk lidhet vetëm me radhët në aeroporte, kontrollet shtesë apo burokracitë e pafundme në zyrat e emigracionit. Ajo lidhet me diçka shumë më të thellë: pamundësinë për të jetuar pranë njerëzve më të dashur, vetëm sepse nuk janë qytetarë të Bashkimit Europian. Në dukje, shumë emigrantë shqiptarë kanë arritur gjithçka që dikur ishte ëndërr. Kanë ndërtuar jetë në Gjermani, Angli, Holandë, Austri, Greqi e vende të tjera europiane. Kanë punë, shtëpi, fëmijë të lindur e rritur atje. Shumë prej tyre mbajnë edhe pasaportat e vendeve pritëse. Por, pavarësisht integrimit, suksesit dhe kontributit të tyre, përballen me një boshllëk të madh ligjor dhe njerëzor: prindërit e tyre të moshuar nuk mund të bashkohen me ta.
Në shumë legjislacione europiane, bashkimi familjar kufizohet kryesisht te bashkëshortët dhe fëmijët e mitur. Prindërit mbeten jashtë këtij koncepti, përveç rasteve tepër të rralla e procedurave pothuajse të pamundura. Dhe kështu, mijëra shqiptarë jetojnë çdo ditë me ankthin e largësisë: prindër që plaken vetëm në Shqipëri, ndërsa fëmijët e tyre ndërtojnë jetën qindra apo mijëra kilometra larg. Kjo dramë bëhet edhe më e rëndë kur mosha sjell sëmundjen, pafuqinë dhe nevojën për kujdes të përditshëm. Në ato momente, emigrantët shqiptarë përballen me një zgjedhje të dhimbshme: të lënë punën dhe jetën që kanë ndërtuar në Perëndim për t’u kthyer e për t’u shërbyer prindërve, ose të përpiqen të gjejnë një kujdestar në Shqipëri — një proces i vështirë, emocionalisht i rëndë dhe shpesh i pasigurt. Shumë prej tyre jetojnë me ndjenjën e fajit. Fëmijët që dikur u larguan për një të ardhme më të mirë, sot ndihen të pafuqishëm përballë pleqërisë së prindërve të tyre.
Video-thirrjet nuk zëvendësojnë praninë. As paratë e dërguara çdo muaj nuk e shuajnë vetminë e një nëne apo babai që pret derën të hapet. Këtu kuptohet më qartë se çfarë do të thotë të mos jesh pjesë e barabartë e familjes europiane. Për qytetarët e vendeve anëtare të Bashkimit Europian ekzistojnë më shumë mekanizma lëvizjeje, qëndrimi dhe afërsie familjare. Ndërsa shqiptarët, edhe kur janë integruar plotësisht në vendet ku jetojnë, vazhdojnë të mbeten mes kufijve ligjorë që u kujtojnë se origjina e tyre ende peshon mbi jetën personale. Prandaj, hyrja e Shqipërisë në fazën finale të hapjes dhe mbylljes së kapitujve të negociatave me Bashkimin Europian nuk është thjesht proces politik apo diplomatik.
Për mijëra emigrantë shqiptarë, ajo është një fije drite. Një shpresë që brezat që u larguan fëmijë në Perëndim, apo ata që lindën atje, të mund ta shohin një ditë vendin e origjinës të trajtohet si i barabartë në familjen europiane me të cilën shqiptarët janë lidhur prej historisë, identitetit dhe aspiratës së tyre shekullore. Sepse integrimi europian nuk matet vetëm me ekonomi, statistika apo kapituj negociatash. Ai matet edhe me dinjitetin njerëzor. Me të drejtën për të mos u ndjerë i huaj. Me mundësinë që një bir apo bijë të mos detyrohet të zgjedhë mes jetës që ka ndërtuar dhe prindërve që po plaken larg tij. Dhe ndoshta, pikërisht aty fillon Europa e vërtetë: te e drejta për të qenë pranë familjes./dritare.net