Na ndiqni edhe në

Shkruaj në Dritare

Sali Berisha sfidon Albert Kamy!

Sali Berisha sfidon Albert Kamy!

*Requiem për një ngjarje më 10 Dhjetor 1990

Nga Bardhyl RESO

Protesta e dytë e studentëve në paraditen e datës 9 dhjetor, si pasojë e ndërhyrjes së policisë dhe forcave speciale, pati mjaft studentë të lënduar, disa prej të cilëve u dërguan edhe në spital. Sekretari i Parë i Partisë së Tiranës, Xhelil Gjoni, me porosi të Ramiz Alisë, ngarkon Sali Berishën për të vizituar studentët e lënduar si dhe për të marrë informacion për situatën e krijuar.

Studentët e revoltuar nga ngjarjet vendosën të bojkotojnë auditoret dhe ditën e hënë me 10 dhjetor nuk u paraqitën në mësim. Ishte një ditë dhjetori plot diell dhe studentët mbushën terrenet sportive të qytetit “Studenti”. Rreth orës 11 të asaj dite, si për çudi mbërriti Sali Berisha bashkë me Prof. Hamit Beqe-n, punonjës i rëndësishëm në aparatin e Komitetit Qendror të Partisë, dhe u bëjnë thirrje studentëve që të kthehen nëpër auditore. Sa për dijeni, deri në atë moment, Sali Berisha nuk ka qenë pjesëmarrës në asnjë nga protestat e datës 8 dhe 9 dhjetor.

Çfarë ndodh pas 32 vjetësh, më 11 dhjetor 2022?

Së pari duhet të ritheksoj Sali Berisha nuk ka qenë kurrë drejtuesi i lëvizjes studentore, por, siç e kam thënë disa herë, pas themelimit të Partisë Demokratike u bë uzurpatori i saj dhe nuk e lëshoi që nga shkurti i vitit 1991. Në festën e 32-vjetorit të themelimit të PD-së, Berisha sfidon Zotin Antony Blinken, Sekretarin e Shtetit amerikan, i cili e ka shpallur non-ngrata, duke gënjyer “se nëse Sekretari Blinken do sjellë një prove për akuzat ai do largohet përfundimisht nga politika”. Nuk mjaftohet me kaq por, me “të vërtetat “e tij, që janë vetëm gënjeshtra sfidon dhe shkrimtarin dhe filozofin francez, Albert Kamy. Trillimet e tij prej “Tartarini nga Teraskoni”, janë jo vetëm të pabesueshme por edhe qesharake, por mbase si Tartarini dhe ai i beson gënjeshtrat e veta.

Sa për dijeni, për ata të cilët nuk e njohin të kaluarën e tij, jo si mjek, por si komunist i devotshëm, madje Sekretar i Partisë në Fakultetin e Mjekësisë, ka qënë vërtetë e lavdishme. Besnikëria e tij e palëkundur ndaj Partisë i siguroi vendin si mjek në klinikën e bllokut e cila i përkiste vetëm udhëheqjes komuniste. Me sa duket ai “ia hodhi” partisë që nuk la armik pa shpikur e palikuiduar, përveç këtij demokrati të kamufluar që në terrorin e diktaturës dhe spiunëve para dhe pas shpine, pati kurajën të bisedojë me miq francezë mbi filozofinë e Albert Kamy-së. Edhe nëse e marrim të mirëqenë një bisedë rreth Kamys-ë, të jeni të bindur që Berisha e ka përfunduar me fjalët, “filozofi më i madh sot është Enver Hoxha jo Kamy-ja”.

Po e vazhdoj me të “vërtetat” e Berishës që gjoja në bisedë e sipër duke krahasuar ndërgjegjen e tij me atë të Kamy-së në kundërshtim me këtë të fundit , Tartarini ynë, “mes nënës dhe të vërtetës, nuk zgjedh mnënën por të vërtetën”. Francezi mbeti pa frymë nga kurajë e këtij komunisti në zemër të diktaturës.

Nëse ka diçka që Saliu nuk e njeh dhe nuk e ka thënë kurrë, është e vërteta! Saliu as nuk thotë të vërteta dhe nëse përballet me të vërteta ai i mohon siç ka mohuar nënën e tij duke ndryshuar ditën e lindjes. Nëna është një e vërtetë absolute dhe këtë nuk ka filozof në botë ta hedhë poshtë, ndërsa të vërteta absolute nuk ka, ndaj Kamy mes nënës dhe të vërtetës zgjedh nënën. “Të vërtetat”e Berishës janë aq pa vlerë dhe aq banale sa ja u kalojnë edhe gënjeshtrave, dhe meqenëse jam pak më i moshuar se ai, e këshilloj, të kthehet në shtëpi pranë oxhakut të ngrohtë dhe të lexojë e rilexojë Kamy-në. Mbase i kthehet kujtimit të nënës dhe zgjedh atë dhe jo të vërtetat e gënjeshtërta që i derdh lumë pa kurrfarë turpi./dritare.net