Nga Lorena Fjolla
Sheshi i fermës ngjan si një sallë aeroporti të hapur me turistë të pafundmë dhe avionë që fluturojnë. Pllakat e kafejta të lagura prej shiut të së shtunës e shtojnë zhurmën e rrotave të valixheve dhe vetëm tingujt e natyrës të zgjojnë për të kuptuar që jo, nuk je në asnjë aeroport, por në fermën e Blerina Bombajt.
Që në të vërtetë nuk është thjeshtë një agroturizëm ku mund të shijosh mëngjesin më të bukur të fundjavës apo drekën që si askund vjen e gjitha nga serra në tavolinë.
Sepse Blerina Farm nuk është veç një fermë. Është një koncept. Një koncept ferme në shërbim të plotë të shijes. Dhe të shëndetit të mirë.
Nga toka, për tokën!
Është e kotë të kërkoni portokaj në verë, apo domate dimrit. Por tavolina ka gjithçka ka toka në çdo stine.
Ndaj quhet Restorant Toka, më i veçanti ndër tregun e gjerë të restoranteve dhe agroturizmave në Shqipëri.
E ndërtuar si një mini-etno-fshat që ndodhet në trekëndëshin e tre kështjellave historike, atë të Petrelës, Krujës dhe Prezës, Blerina's Farm, është fshati tipik shqiptar në disa hektarë tokë.
Si në çdo fshat në Shqipëri ku në çdo qendër gjen një rrap, në fermën e Blerinës gjen një tavolinë të mbushur me erëza të mbjella, e rrethuar nga pemë me ullinj që këtë vit kishin nisur prodhimin e parë.
Rrugës për te serrat, ferma dhe vreshtat e rrushit, kudo hedh këmbët, janë lulet si në oborrin e mamit. Edhe aty lulëzojnë falë duarve të mamasë së Blerinës.
Gjithçka nisi pak hektarë tokë e trashëguar. Tokat me jonxhë Blerina i ktheu në tokë ari, jo vetëm për të e familjen e saj, por për të gjithë Laknasin, që tashmë nuk është njësoj me vitet e shkuara, para ndërtimit të këtij agroturizmi.
Bashkë me tokën, Blerina mbolli dhe ëndrrat e saj, që nuk u bënë të vërteta befas kur një mëngjes hapi sytë.
Çfarë fshihet pas janë kredi, ditë të lodhshme, net pagjumë, sfida e mundime.
Ajo ia doli të vërë gradualisht me vitet tullat një e nga një për të ndërtuar mure të cilat nuk mund të shemben as me furtunën e botës moderne, e jo me erërat e saj.
“Pema që nuk rritet vdes”, thotë Blerina, e cila është dëshmi se ëndrrat nuk bën vaki të dalin, po nuk punove për to!/dritare.net